TOSKËRIA


TOSKËRIA
✤ Emërtim i përgjithshëm për krahinat etnografike të Shqipërisë jugore, që shtrihen nga lumi Shkumbin deri në gjirin e Artës në J, nga vargu i maleve Gramoz në L deri në brigjet e detit Adriatik e Jon në P. Dëshmohet për të parën herë në dokumentet historike të shek. XV. Mendohet se vjen nga emri i një fisi më të hershëm, i cili banonte diku në malet në mes të rrjedhjes së epërme të lumenjve Devoll e Vjosë. Gjatë shek. XVI-XVII ai u bë strumbullari 1 disa fiseve e grupeve të vogla popullsie që banonin rreth tij si Dëshnica, Dangëllia, Shqeria, Opari, Skrapari, Vërça, Shpati, Mokra etj. dhe me ta formoi një bashkësi ekonomiko-shoqërore të madhe, së cilës i dha emrin e vet. Bashkëjetesa e grupeve të ndryshme në një njësi ekonomiko-shoqërore formoi edhe një njësi kulturore të përbashkët. E drejta kanunore shkoi drejt zhdukjes e në vend të saj u gërshetuan disa norma tradicionale me normat e së drejtës kanonike e të sheriatit. Forma e fshatrave ishte kryesisht me shtëpi të grumbulluara. Zotëronin ndërtesat e ‘mëdha të punuara me gur e dru, mbeturinat e të cilave gjenden në rrethin e Gramshit, në Moglicë, Opar etj. Në veshje erdhi duke u përgjithësuar këmisha dhe guna.

Me zhvillimin ekonomik dhe lëvizjet e popullsisë duke nisur nga shek. XVII grupe toskësh e labësh u vendosën në Myzeqe, grupe toskësh kaluan Vjosën e u vendosën në Labëri e grape labësh u vendosën në Toskëri, si p.sh. në Tomoricë, Skrapar, Kolonjë etj. Nga fundi i shek. XVIII, rreth pashallëkut të Janinës të Ali Pashë Tepelenës u bë përqendrimi politik i Shqipërisë së Jugut në një njësi ekonomike, shoqërore dhe politike, ku morën pjesë Myzeqeja, Labëria, Çamëria dhe Toskëria, e cila i dha edhe emrin. Edhe të folmet e kësaj treve morën emërtimin e përgjithshëm toskërishte. Në marrëdhëniet shoqërore, me pak përjashtime si në Labëri e Myzeqe,

e drejta kanunore u lëshoi vendin përfundimisht normave të së drejtës kanonike e të sheriatit, Në banesa mbizotëroi tipi i shtëpisë i quajtur «dollmali Elbasani» dhe ai i shtëpisë dydhomëshe me një korridor në mes. Shpesh të dy tipat paraqiten me një kat të ngritur në lartësi. Në veshje, burri kaloi në fustanellë e prej saj në poture, kurse gruaja këmishën, nga një veshje e brendshme, filloi ta përdorë si veshje të sipërme. Në muzikën popullore mbizotëroi polifonia, kurse në vallet ajo në grupe valltarësh të udhëhequr nga një korife. Gjatë shek. XIX me zhvillimin e marrëdhënieve kapitaliste dhe me hovin e Rilindjes Kombëtare dallimi i T. nga Gegëria shkoi duke e humbur rëndësinë. Sot emri T. ka mbetur si një nocion historik-etnografik.

(Rr. Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Toskëria


[cite]