TRANSMETIMI I SINJALIT
Sinjali ose informacioni lëviz në fijet nervore vetëm në një drejtim të caktuar. Në këtë vështrim dallojmë dy lloje fijesh. nervore: fije nervore ndjesore (sensore) dhe fije nervore lëvizore (motore). Në fijet nervore ndjesore informacioni lëviz nga periferia e organizmit në drejtim të sistemit qendror nervor, nga receptorët te truri. Këto janë pikërisht fijet nervore që çojnë në tru dhe në palcën e kurrizit informacionin e larmishëm, të cilin e marrin nga bota e jashtme dhe nga organet e brendshme të organizmit. Ndërsa në fijet nervore lëvizore informacioni lëviz në drejtim të kundërt, nga sistemi qendror nervor në drejtim të periferisë së organizmit. Me anën e fijeve nervore motore truri dhe palca e kurrizit dërgojnë «urdhrat» në organet, në muskujt etj., për të rregulluar veprimtarinë jetësore të organizmit tonë.
Fijet nervore janë si telat e rrjetit telefonik që shpërndahen nga centrali në të gjitha aparatet telefonike.
Kur ne flasim në telefon, aparati dhënës e shndërron zërin tonë në impulse elektrike. Këto impulse elektrike transmetohen, me anën e fijeve telefonike, në central dhe prej andej në aparatin tjetër telefonik. Impulset elektrike te aparati marrës i dorezës telefonike, shndërrohen përsëri në zë. Në këtë mënyrë realizohet biseda në largësi me anën e rrjetit telefonik. Diçka e ngjashme ndodh edhe në organizmin tonë. Fijet nervore, në fundin e tyre, janë të pajisura me receptorë, që do të thotë marrës. Te receptorët vijnë ngacmimet nga bota e jashtme dhe e brendshme e organizmit: një zë, një dritë. pamja e një objekti, prekja e një sendi të ngrohtë, ngacmimet që shkaktohen, p.sh., në aparatin tretës gjatë përpunimit të ushqimeve e shumë të tjera. Në receptorët e trupit tonë gjatë një dite përplasen me mijëra e mijëra ngacmime të shumëllojshme. Receptorët jo vetëm që i kapin këto ngacmime, por kanë aftësinë që të shndërrojnë energjinë e tyre në energji elektrike. Këto impulse elektrike, nëpërmjet fijeve nervore ndjesore, transmetohen në tru. Truri i analizon këto impulse dhe, në bazë të informacionit që’ ato përmbajnë, dërgon -urdhrat-, po në formën e impulseve elektrike, me anën e fijeve nervore lëvizore, në pjesët e ndryshme të organizmit. Kjo rrjedhje e informacionit në sistemin
tonë nervor kryhet shumë shpejt, në disa pjesë të sekondës.