TROMARA VASIL


TROMARA VASIL
✤ (1890-1924). Atdhetar dhe luftëtar i Rilindjes dhe i periudhës së Pavarësisë. Lindi në Qytezë të rrethit të Korçës. Ka qenë nxënës i Mësonjëtores së Parë Shqipe. Punoi punëtor në Selanik dhe në vitin 1907 mërgoi në SHBA. Këtu u bë anëtar i shoqërisë patriotike «Besa-Besë» (shih). U kthye në Shqipëri më 1910, për të marrë pjesë në luftën e armatosur për liri, po u arrestua dhe u burgos në Gjirokastër. Pas lirimit nga burgu mori pjesë në formimin e çetës të udhëhequr nga Themistokli Gërmenji (shih) dhe u bë bashkëpunëtor shumë i afërt i tij. Në vitet 1913-1914 punoi për vendosjen e administratës së qeverisë shqiptare në Skrapar e në Korçë. U shqua në shtypjen e puçit grek në prill’ të vitit 1914 në Korçë. V. T. ishte një nga veprimtarët kryesorë që kontribuoi në ngritjen e «Krahinës autonome* të Korçës të viteve 1916-1917 (shih). Mbështeti Kongresin e Lushnjës dhe u shqua në luftën për bashkimin e administratës së krahinës së Korçës me pjesën tjetër të Shqipërisë në maj të vitit 1920. Mori pjesë në Luftën antiimperialiste të Vlorës më 1920 dhe në Revolucionin e Qershorit më 1924. U vra në Bilisht nga forcat e reaksionit zogist.

(F. X.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Tromara Vasil


[cite]