VËMENDJA
Vëmendja është aftësia që kemi ne për ta përqendruar vetëdijen tonë në një ose në disa objekte dhe për ta shkëputur nga çdo gjë tjetër.
Jeni të ulur në dhomë dhe po lexoni një libër interesant, por sapo troket dera, ju e shkëpusni vëmendjen nga libri dhe shkoni të hapni derën. Ose një rast tjetër: jeni në një sallë në të cilën ka zhurmë e shqetësime të ndryshme, megjithatë ju arrini të lexoni e ta përqendroni vëmendjen në atë që lexoni. Këto janë dy shembuj që tregojnë se njeriu ka aftësi ta përqendrojë ose ta shkëpusë vëmendjen sipas vullnetit të tij. Por si shpjegohet kjo dukuri, si ndodh që truri ynë lejon ta kalojë atë informacion që na intereson dhe ndalon çdo informacion tjetër. Në trurin tonë ka disa mekanizma që shërbejnë si «filtra», por si filtra të gjallë. Këta «filtra» lejojnë të kalojnë vetëm ato informacione që vijnë në tru e që paraqesin interes dhe veçojnë atë informacion që është i panevojshëm. Funksionimi i mirë i këtyre «filtrave» na lejon në fakt që të përqendrojmë vëmendjen tonë në një aktivitet të caktuar. Studimet e kohëve të fundit kanë treguar se në trurin tonë ekzistojnë disa mekanizma të vëmendjes që ndodhen në struktura e në zona të ndryshme të trurit, si p.sh. te talamusi, te lobi ballor i hemisferave të mëdha etj.; sidomos një rëndësi të posaçme ka lobi ballor, i cili ka aftësi të nxitë ose të frenojë veprimtarinë e zonave të ndryshme të trurit, pra ta përqendrojë ose ta zhvendosë vëmendjen tonë nga një objekt ose aktivitet në një tjetër.