VALBONA
✤ Lumë, dega më e madhe e Drinit, që rrjedh në VL të Alpeve Shqiptare në rrethin e Tropojës, me gjatësi 50.6 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 657 km2. Fillon në burimet karstike në rrëzë të Qafës së Valbonës e rrjedh në një luginë madhështore me origjinë akullnajore. Merr ujërat e burimit të fuqishëm të Pecmarës, e rrjedh nëpër kanionin e bukur të Shoshanit dhe në dalje merr ujërat e burimit «Vrella e Shoshanit», më i fuqishmi në Alpet Shqiptare. Pasi merr edhe ujërat e përroit të Gashit dhe të Tropojës që janë dhe degët kryesore të tij kalon nëpër pellgun e Tropojës dhe derdhet në Drin, me një grykë të gjerë pa formuar deltë, menjëherë pas digës së HEC «Drita e Partisë». Meqenëse pjesa më e madhe e pellgut ujëmbledhës është e ndërtuar nga gëlqerorë të karstëzuar, V. ka regjim alpin-karstik të rrjedhjes dhe tejdukshmëri të lartë të ujërave, me prurje mesatare 33.0 m3/sek (në Gri).
(R.S.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Valbona
[cite]