VELIPOJA


VELIPOJA
✤ Fshat në rrethin e Shkodrës (P), që përfshin fushën e Bregut të Bunës. Qendër e fshatit të bashkuar ku bëjnë pjesë edhe fshatrat: Boks-Rjolli, Mali-Kolaj, Boksi i Ri, Luarzi, Pulaj, Reçi, Gomsiqja e Re, Reçi i Ri, popullsia gjithsej 5500 banorë. Fshatrat e zonës dokumentohen që në fillim të shek.XV. Vetë V. është ngritur në shek.XVII. Banorët kanë marrë pjesë në luftë kundër pushtuesve malazezë më 1912. Gjithashtu kanë ndihmuar gjallërisht në Luftën ANÇ. Kolektivizimi i bujqësisë u bë më 1957, kurse koop. e bashkuar u ngrit më 1971. Ka drejtim kryesor të ekonomisë prodhimin e misrit dhe të grurit. Rriten dhe japin prodhime të larta lopët, delet dhe shpendët. V. ka shkollë 8-vjeçare, shtëpi lindjeje, vatër kulture, njësi tregtare e komunale. Gjatë viteve të pushtetit popullor janë bërë punime të rëndësishme për bonifikimin e fushës së Bregut të Bunës (shih). Në V. është ndërtuar një plazh i ri. Pas tërmetit të prillit 1979 janë ndërtuar të rinj fshatrat Reçi i Ri, Gomsiqe e Re dhe Boksi i Ri.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Velipoja


[cite]