9.10 Përfundime
Mund të pohohet pa kurrfarë ngurrimi se periudha e Rilindjes pati rëndësi të shumë të
çmueshme për ekzistencën kulturore e politike të Shqipërisë. Në historinë e saj politike
Shqipëria kaloi nga një rajon i humbur, i panjohur e i prapambetur i Perandorisë Osmane, dhe
zuri vendin e vet në gjirin e shteteve të Evropës. Epoka e Rilindjes krijoi vetëdijen e qenies si
komb dhe e bëri gjuhën shqipe mjet të natyrshëm të shprehjes kulturore e letrare të popullit
shqiptar.
Në fillim nuk qe aspak e sigurtë se përpjekjet e shkrimtarëve, publicistëve dhe
intelektualëve shqiptarë të kësaj periudhe për shtetformim e konsolidim kulturor do të kurorëzoheshin me sukses. Lidhja e Prizrenit, e krijuar më 1878 si përgjigje ndaj vendimeve të
Kongresit të Berlinit, në realitet dështoi. Ajo vërtetë pengoi aneksimin e një pjese të madhe të
trojeve shqiptare nga Serbia dhe Mali i Zi, por ndërkohë nuk i doli mbanë në detyrën që i kishte
venë vetës për të bashkuar të gjithë vendin në një vilajet të vetëm, d.m.th. në një njësi të vetme
administrative të Perandorisë Osmane, çka konsiderohej si parakusht i dorës së parë për një
shkallë të caktuar autonomie. Lidhja e Prizrenit u shkatërrua nga Porta e Lartë më 1881, kurse
shumica e udhëheqësve të saj u vranë, u burgosën ose u syrgjynosën. Pjesa më e madhe e
kryengritjeve në vitet që pasuan, ndonëse të shumta për nga numri, më fort se luftë për synime
të larta kombëtare qenë shprehje dufi për të kërkuar përmbushjen e disa kërkesave praktike, për
shembull – për të kundërshtuar çarmatosjen e fiseve të veriut nga ana e qeverisë turke,
mbledhjen e taksave apo thirrjen e burrave nën armë.
Ideja për autonominë politike e më tej për pavarësinë i vuri shkrimtarët dhe intelektualët
shqiptarë në dilemë. Ata e ndienë fare mirë dhe qenë të vetëdijshëm se pavarësia mund të
kthehej në bumerang për këtë vend të vogël të Ballkanit. Duke bërë pjesë në Perandorinë
Osmane, edhe pse në rënie e sipër, shqiptarët të paktën qenë të mbrojtur nga synimet
ekspansioniste të shteteve fqinjë të krishtera. Megjithë shkallën e lartë të korrupsionit e të
paaftësisë së administratës turke, nën të cilën shqiptarët po vuanin në dhjetëvjeçarët e fundit të
Perandorisë, për shumë udhëheqës rilindës ishte një përparësi e çmuar taktike që të sundoheshin
nga Bosfori i largët e jo nga Cetinja, kryeqyteti i afërt i Mbretërisë së sapolindur të Malit të Zi,
apo nga serbët dhe grekët. Kështu, ata u mjaftuan me luftën për forcimin e ndjenjës dhe
vetëdijes kombëtare, duke mos nxitur ndonjë ballafaqim të drejtpërdrejtë politik me Portën. Në
një memorandum dërguar Fuqive të Mëdha nga shqiptarët e Manastirit në tetor 1896, shqiptarë
myslimanë e të krishterë bashkë protestonin me të drejtë se serbët, bullgarët dhe grekët gëzonin
përkrahjen dhe mbrojtjen e Fuqive të Mëdha, kurse për ta mungonte çdo lloj përkrahjeje. Ata
nuk kërkonin privilegje, e as nuk dëshironin pavarësi të plotë nga Turqia. Ata donin vetëm të
jetonin si shqiptarë. Për këtë qëllim, kërkonin bashkimin e të pesë vilajeteve (Kosovë, Manastir,
Selanik, Janinë dhe Shkodër) në një njësi të vetme administrative me kryeqytet Manastirin, me
një administratë shtetërore dygjuhëshe (turqisht dhe shqip), me një kuvend përfaqësuesish të
zgjedhur, me shkolla në gjuhën shqipe, me liri të plotë gjuhe dhe feje, si dhe me kufizimin e
shërbimit të detyrueshëm ushtarak vetëm në pjesën evropiane të Perandorisë. Ndërkaq, Porta e
Lartë ende nuk po shfaqte kurrfarë vullneti që të arrinte një kompromis për çështjen e
autonomisë së shqiptarëve. Si rezultat, kryengritjet popullore kundër sundimit turk vazhduan në
këtë periudhë pa ndërprerje, e sidomos në Shqipërinë e veriut dhe në Kosovë. Gjendjen e
përgjithshme të rrëmujës dhe pasigurisë e rëndonin bandat e çetat anembanë vendit, të cilat
prishnin edhe atë që kishte mbetur nga rendi ekonomik dhe helmonin marrëdhëniet ndëretnike.
Shumë nacionalistë shqiptarë ushqyen besim të madh te lëvizja e xhonturqve, e cila do
të shpinte në revolucionin e korrikut 1908 e në përmbysjen e Sulltan Abdyl Hamidit II (1842-
1918) pas një viti. Mid’hat bej Frashëri sidomos i bëri thirrje parisë shqiptare t’u jepte
mbështetje të plotë xhonturqve, të cilët e kishin selinë në qytetin e tij, në Selanik. Nuk ka
dyshim se edhe shqiptarët vetë luajtën një rol me rëndësi në revolucionin e xhonturqve, i cili
përshpejtoi fundin e kësaj periudhe stagnacioni të përgjithshëm, e që i dha Perandorisë
kushtetutë dhe qytetarëve barazi në dukje pavarësisht nga feja. Por shpresat që shqiptarët kishin
mbështetur te xhonturqit u shuan shpejt, kur u bë e qartë se administrata e re qe po aq centraliste
sa e vjetra, në mos më shumë. Shqiptarët nuk do të bënin pjesë në atë valë nacionalizmi
mbarëturk që po përhapej nëpër Evropë. Tipike për këtë qëndrim ishin fjalët e publicistit
Dervish Hima në një ceremoni në Shkodër në gusht 1909 me rastin e kushtetutës së re, e cila në
fillim qe pritur me mjaft entuziazëm naiv nga fiset e Shqipërisë së veriut81. Qazim Beu, një oficer turk që e mori fjalën në ceremoni, u shpreh me këtë frymë të re të nacionalzmit turk:
“Tani nuk ka më myslimanë e të krishterë, nuk ka më kombësi të ndryshme. Ka vetëm një
popull osman.” Duke ia ndërprerë fjalën, Dervish Hima kundërshtoi duke thënë se shqiptarët
nuk janë tjetër veçse ‘shqiptarë’ dhe nuk do ta ndiejnë veten të kënaqur veçse kur të jenë të lirë
në një Shqipëri të lirë, si pjesë e një konfederate shtetesh të pavarura ballkanike nën
suzerenitetin e Sulltanit82. Ndërsa shpresat për autonomi nuk po fuqizoheshin, shqiptarët arritën
të përfitojnë nga reformat e xhonturqve dhe nga liberalizmi relativ në çështjet kulturore. Kështu,
ata ngritën shkolla në gjuhën shqipe dhe themeluan gazeta në këtë gjuhë si dhe klube patriotike.
Por rrethi tragjik i shtypjes dhe i kryengritjeve të përgjakshme vazhdonte.
Po në këtë kohë u mblodh Kongresi i Manastirit83 nga 14 deri më 22 nëntor 1908. Ky
kongres, i mbledhur për të vendosur për problemin e ndërlikuar të alfabetit, u organizua nga
shoqëria vendëse Bashkimi dhe u propagandua nga Mid’hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:
“… ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e papengim të punojmë për
mbrodhësin’ e lumtërin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj
kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundime të harijmë qëllimetë tona
të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë84.” Mid’hat bej Frashëri e drejtoi këtë mbledhje, ku morën
pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë. Ndër
pjesëmarrësit e shquar qenë Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja, Gjergj
Fishta, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra, Thoma Abrami
nga Korça, Sotir Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri. Kongresi
zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë antarësh nën kryesinë e atë Gjergj Fishtës për të
studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë mendimi i
përbashkët që, pavarësisht nga alfabeti që do të vendosej, kryesorja të mbetej forcimi i unitetit
kombëtar. Këtë ide Fishta e shprehu duke thënë se “sado q’ësht’ i dërguarë prej shoqërisë
Bashkim, s’ka ardhurë për të mprojtur atë abece, po për të gjeturë një mënyrë që të bashkohemi
të tërë85.” Tre alfabetet kryesorë që u morën në shqyrtim qenë 1) alfabeti i Agimit, i shoqërisë
letrare Agimi të Shkodrës i propozuar nga Ndre Mjeda; 2) alfabeti i Bashkimit, i shoqërisë
letrare Bashkimi të Shkodrës i hartuar nga Prenk Doçi; dhe 3) alfabeti i Stambollit, i hartuar nga
Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët
zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte
shkronja jolatine. U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përhapur për
përdorim të shqipes nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë
të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe
për shumë kohë pas Kongresit. Pas disa ditësh plot me diskutime, e duke marrë gjatë kësaj kohe
edhe telegrame nga mbarë Shqipëria me kërkesën që të vendosej njëri apo tjetri alfabet,
komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuar të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit.
Të dy mund të përdoreshin tani në shkolla e në botime. Megjithatë, pranimi nga të gjithë i
vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë.
Problemi i alfabetit qe një temë politike e diskutuar nxehtë gjatë Rilindjes, e kështu do të mbetej edhe për disa vjet me radhë në të ardhmen. Sidoqoftë, me vendimin për të mbështetur
një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për një kalim shkallë-shkallë nga alfabeti i
respektuar i Stambollit te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, si dhe arriti
të mënjanojë mjaft polemika e kundërshtime në vitet e mëvonëshme. Ndonëse një gjuhë letrare
me një drejtshkrim përfundimtar për të gjithë leksikun u vendos vetëm më 1972 në kongresin
e drejtshkrimit të Tiranës, vendimet e miratuara në Manastir, gjashtëdhjetë e katër vjet më herët,
e lehtësuan mjaft formimin e disa normave gjuhësore në fushën e botimeve dhe ndihmuan në
ecjen përpara të një letërsie shqiptare më të njësuar.
Ndërkohë që mbijetesa e Perandorisë Osmane sa vinte e po bëhej më e pasigurt,
kryengritjet shqiptare vazhdonin: më 1910 në Kosovë dhe në malësitë e Shqipërisë së veriut, më
1911 në krahinën katolike të Mirditës dhe në malësinë e veriut dhe më 1912 në Shkup, Dibër e
Vlorë. Në tetor 1912, rënia përfundimtare e Perandorisë Osmane në Evropë e dha shenjën me
shpërthimin e Luftës Ballkanike, në të cilën grekët, serbët, malazezët dhe bullgarët u bashkuan
për të dëbuar turqit nga Evropa. Brenda dy muajsh, në të vërtetë e gjithë Shqipëria u pushtua
nga shtetet fqinjë ballkanikë që, në fushatën e tyre antiturke e deridiku antimyslimane, nuk
kishin ndërmend të njihnin aspiratat e ligjshme të popullit shqiptar. Në mes të asaj zbrastësie
pushtetore e rrëmuje të krijuar nga humbja e menjëhershme e turqve, politikani shqiptar me
parandjenjë të fuqishme Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919), pasi siguroi përkrahjen austrohungareze,
thirri një kongres kombëtar të intelektualëve shqiptarë në Vlorë, ku morën pjesë
tridhjetë e shtatë delegatë nga Shqipëria e mesme dhe e jugut. Në këtë mbledhje, më 28 nëntor
1912, Shqipëria u shpall përfundimisht e pavarur, duke i dhënë fund pesë shekujve të pushtimit
turk. Nata e gjatë e sundimit osman mbaroi.
Pas Konferencës së Londrës në dhjetor 1912, në të cilën Fuqitë e Mëdha de facto e
njohën ekzistencën e shtetit shqiptar të sapolindur, u krijua një komision me detyrën e
pakëndshme të përcaktimit të kufijve të shtetit të ri. Edhe pse pavarësia qe shpallur e të paktën
përkohësisht qe siguruar në shkallë ndërkombëtare, nuk do të vononte shumë dhe entuziazmi i
shqiptarëve do të binte. Nga shteti i ri ishin lënë jashtë më se gjysma e territorit shqipfolës dhe
rreth dyzet përqind e popullsisë shqiptare. Dhe fakti më tragjik qe se Kosova, e cila kishte qenë
‘çliruar’ nga ushtria serbe, iu dha Serbisë, gabim ky i tmerrshëm, pasojat e të cilit në Ballkan
ndihen edhe sot e kësaj dite.
Periudha e Rilindjes për letërsinë shqiptare, e përcaktuar kryesisht nga rrjedha e
historisë së Shqipërisë, është në të vërtetë periudhë e vështirë për t’u datuar me përpikmëri.
Mendimi i përgjithshëm është se fillimin e periudhës së Rilindjes e shënon Lidhja e Prizrenit e
mbledhur më 1878, ndonëse fazat paraprake të zgjimit kombëtar e kulturor, sikundër e pamë,
mund të vëzhgohen në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Shpallja e pavarësisë së
Shqipërisë në nëntor 1912 vjen për mbarë të quhet edhe si datë e përfundimit të kësaj periudhe,
por si lëvizje letrare periudha e Rilindjes vazhdoi po me atë forcë edhe në vitet e
paqëndrueshme e të pasigurta të pavarësisë. Kështu, për autorë të Rilindjes mund të flitet deri
në vitet 1930.
Periudha e Rilindjes ishte ajo që, më shumë se çdo periudhë tjetër, mbrujti dhe formoi
letërsinë shqiptare si dhe përcaktoi mjaft nga tiparet e saj të mëvonëshme. Më pas, në periudhën
e pavarësisë e deri në Luftën e Dytë Botërore vjen, në një masë të madhe, rritja dhe fuqizimi i
asaj peme luleshumë e me rrënjë të thella, që pati mbirë në truallin e larë me gjak të asaj epoke
të turbullt por vendimtare. Pra, letërsia e Rilindjes hodhi themelet për zhvillimin e letërsisë së
sotme shqiptare, jo vetëm në gazetari e poezi, si një élan vital e periudhës, por edhe në prozë,
dramë e publicistikë, të cilat për herë të parë u zhvilluan si gjini letrare të qëndrueshme, ndoshta
jo edhe me aq nivel të lartë artistik.
Ndikimi i poetëve, publicistëve dhe shkrimtarëve të Rilindjes në rrugën e zhvillimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare nuk mund të mbivlerësohet. Megjithatë, poqese i bëjmë vetes
pyetjen objektive nëse ka ndonjë shkrimtar të Rilindjes me nivel të vërtetë letrar të barabartë me
ato belles lettres më të mira të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë në Angli, Francë, Gjermani
dhe Rusi, përgjigja ndoshta do të jetë mohuese. Letërsia shqiptare e kësaj periudhe
karakterizohet nga një zhvillim i gjallë e i paparë, por nuk mund të thuhet se është një letërsi ku
Muzat janë ulur këmbëkryq. Nuk ka gjini letrare që të arrijë përsosmërinë në një vend të
pushtuar, të varfër e në më të shumtën analfabet e pa kulturë qytetare. Dramaturgjia në gjuhën
shqipe, ende në foshnjërinë e saj, përbëhej më fort nga melodrama sentimentale, që nuk
meritojnë një vëmendje dhe trajtim të veçantë, ndërsa proza letrare me disa përjashtime nuk
paraqitej më mirë. As poezia vetë, gjithmonë shtylla e letrave shqipe, nuk e tregoi ndopak
frymëzimin lirik e stilistik, edhe pse tema e kombit dhe e romantizmit kombëtar mund të jetë
prekëse dhe emocionuese për të gjithë lexuesit me ndjenjë mirëkuptimi e dashamirësie për këtë
komb të trajtuar aq padrejtësisht nga historia. Ajo duhet të shihet në kontekstin e vetë zhvillimit
shumë të mundimshëm politik e shoqëror të Shqipërisë. Në fund, Shqipëria e shekullit të njëzet
nuk mund të kuptohet aspak pa kuptuar periudhën e Rilindjes dhe kulturën e saj.

___________
81 kr. përshkrimin prekës të Edith Durhamit në High Albania, 1909, f. 223-231.
82 kr. Archives du Ministère des Affaires Etrangères de France, Shkodër, 26 gusht 1908, dhe Pinon 1909, f. 813.
83 kr. Senkevi… 1959, f. 120-124, Skendi 1960, f. 276-278, Buda, Domi & Pollo (red.) 1972, Demiraj & Prifti 1978, dhe Ibrahim Hoxha 1986.
84 kr. Lirija, Selanik, 8 vjesht’ e 3-të [nëntor], 1908, f. 1, dhe Senkevi… 1959, f. 121.
85 kr. Lirija, Selanik, 8 vjesht’ e 3-të [nëntor], 1908, f. 2, dhe Skendi 1960, f. 276.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]