VISARET E KOMBIT
✤ Titull i përbashkët i një cikli botimesh në 15 vëllime, me lëndë nga tradita folklorike, etnografike e gjuhësore shqiptare, që u shtypën në vitet 1937-1944. Vëllimet përmbajnë këngë trimërie dhe kreshnikësh (I,1937), këngë kreshnikësh dhe legjenda (II,1937), valle, gjamë, vajtime dhe këngë dashurie (III, 1937), këngë trimërie, kreshnikësh, dashurie, përralla dhe nga visari i arbëreshëve të ishujve të Greqisë (IV,1939), këngë popullore të Toskërisë (V, 1941). Vëllimet VI-IX mbetën të paplotësuara, por brenda tyre mendohej të përfshiheshin vëllimet e serisë «Folklorë», botuar në Shkodër më 1940-1943. Vëllimet e tjera janë: X. Lahuta e Kosovës (1944), XI Fjalorthi i ri (Fjalë të rralla të përdorura në Veri të Shqipërisë, 1941), XII. Fjalorthi i ri (Fjalë të rralla të përdorura në Jug të Shqipërisë, 1941), XIII. Doke e zakone familjare (Lindja, fejesa, martesa, vdekja, veshja, festime të ndryshme, zakone, gojëdhana e besime gjithfarëshe, toponomastikë e përshkrime vendesh (1944), XIV. Fyelli i Dibrës, Lahuta e butë e Dukagjinit (1944), XV Kangë trimnije dhe dashunije, kangë dhe valle dasmash, fjalë të urta dhe shprehje popullore (1944).
(S.H.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Visaret E Kombit