VOKSHL SULEJMAN


VOKSHL SULEJMAN
✤ (1815-1890). Veprimtar dhe figurë e shquar e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Hero i Popullit. Lindi në Gjakovë nga një familje me tradita kombëtare, pjesmarrëse në kryengritjet antiosmane kundër Tanzimatit. Veprimtarinë patriotike e filloi që në moshën djaloshare. Në vitet 40 të shek. XIX mori pjesë me armë kundër «reformave të Tanzimatit» dhe prandaj qeveria osmane e internoi dhe e burgosi shumë herë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit e gjeti S. V. e përgatitur në të gjitha drejtimet si luftëtar e udhëheqës i shquar popullor dhe me koncepte të qarta politike. Ishte një nga nismëtarët e themelimit të saj dhe gjatë veprimtarisë së Lidhjes një ndër udhëheqësit kryesorë, politikë e ushtarakë, anëtar i Komitetit Qendror dhe përfaqësues konsekuent i krahut revolucionar të saj. Ai qëndroi jo vetëm në ballë të luftës per mhrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare, por edhe të luftës për realizimin me forcën e armëve të autonomisë së mbarë trojeve shqiptare si shkallë e parë, e kushtëzuar nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme, e luftës për fitoren e pavarësisë së plotë.

Qeveria e përkohshme e Lidhjes shqiptare e ngarkoi me detyrën e udhëheqësit ushtarak të forcave të armatosura të ushtrisë kombëtare të saj, ishte edhe kryetar i komisionit të të ardhurave dhe financave, Ishte drejtues i Degës së Lidhjes për Gjakovën dhe një nga organizatorët e ngjarjeve të Gjakovës që shpunë në vrasjen e mareshalit osman Mehmet Ali Pashë Maxhari, tradhtar i interesave kombëtare. Si anëtar i Shtabit ushtarak të Lidhjes, S. V. ishte një nga udhëheqësit e luftëtarëve shqiptarë në betejat për mhrojtjen e Plavës e Gucisë, që shpunë në shpartallimin e forcave të Malit të Zi. Me shpalljen e autonomisë dhe krijimin e «Kuvernës së Përdorme», ishte krahas Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit e të tjerëve, në krye të kësaj me cilësinë e komandantit të forcave për mbrojtjen. Forcat e Lidhjes nën komandën e tij brenda një kohe fare të shkurtër e shtrinë pushtetin popullor-administrativ e ushtarak të Lidhjes në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Lumë, Guci, Vuçitern, Preshevë etj. Nën drejtimin e tij si kryetar i shtabit të forcave shqiptare dhe me pjesëmarrjen e tij direkte u zhvillua edhe lufta heroike për mbrojtjen e Lidhjes në Shtimje e Slivovë kundër forcave osmane të Dervish Pashës. E vazhdoi qëndresën kundër pushtuesit osman edhe pas thyerjes së Lidhjes shqiptare dhe shpërndarjes së qeverisë së saj deri më 1885, madje ai organizoi në këtë vit një kryengritje tjetër kundër pushtuesve që shpërtheu në Kosovë. U kap me pabesi. Pushteti osman e konsideroi si një nga udhëheqësit më të rrezikshëm të Lidhjes, prandaj gjykata e jashtëzakonshme e Prizrenit e dënoi me vdekje. Por para presionit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare u detyrua ta lirojë pas burgimit. S. V. radhitet ndër udhëheqësit e luftëtarët konsekuentë të popuilit shqiptar në luftën për realizimin e sigurimin e unitetit të tij kombëtar e shtetëror. Figura e tij u përjetësua edhe nga këngët popullore historike të asaj periudhe. Vdiq në Gjakovë.

(B.Ho.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Vokshl Sulejman


[cite]