XEHERORËT E TITANIT


XEHERORËT E TITANIT
✤ Agregate minerale natyrore që përmbajnë titan në sasi me vlerë ekonomike. Titani hyn në përbërjen e rreth 60 mineraleve, nga të cilët më kryesorët janë ilmeniti (FeTiO,), rutili (Ti02) dhe titanomagnetiti, që përdoren më gjerësisht në ind.

Vendburimet e X. të T., që gjenden edhe në vendin tonë, janë me prejardhje magmatike, metamorfike dhe sedimentare. X. e T. të tipit magmatik gjenden në gabrot dhe përbëhen nga ilmenit e titanomagnetit (me 5-8% oksid titani) në bashkëshoqërim me minerale të tjera xeherore dhe joxeherore (oksid hekuri 17-19%, oksid magneziumi 7,2-8,5%, oksid vanadiumi deri 0,3% dhe silicë 39-43%).

Vendburime sedimentare të shkrifërimeve të vjetra, ku ilmeniti, rutili dhe titanomagnetiti ndodhen në bashkëshoqërim me kromitin dhe granatet, janë zbuluar në depozitimet e pliocenit e miocenit në Ultësirën Pranadriatike e atë të Tiranës dhe në depozitimet triasike të Zonës së Korabit. Përbërje të njëjtë minerale kanë edhe shkrifërimet e reja të ranishteve e të bregdetit të Adriatikut, nga të cilat sot nxirren koncentrate rutili, ilmeniti, titanomagnetiti etj. Në të ardhmen do të zhvillohet ind. nxjerrëse e xeherorëve të titanit.

(F. Ba.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Xeherorët E Titanit


[cite]