XHIZJA
✤ Detyrim për kokë që vilej për llogari të shtetit osman vetëm nga shtetasit jomyslimanë të moshës 15-75 vjeç. Xh. ishte shprehja më tipike e politikës së diskriminimit që ndoqën osmanët ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të shtypur të Ballkanit. Ajo shërbeu si mjet shtrëngues për përhapjen e fesë islame te shqiptarët.

Madhësia e Xh. ka ndryshuar kohë më kohë. Në shek. XV-XVI u vol në përgjithësi në masën 40-50 akçe për kokë, por në zonat e thella hialore të vetëqeverisura ishte shumë më e vogël. Në shek. XVII-XVIII, ashtu si në të gjithë trevat ballkanike Xh. pësoi rritje dhe u vol në bazë hanesh (dhjetë shtëpi) në masën mesatare 960 akçe secila, por duke i ndarë në tri kategori: nga të pasurit 1320 akçe, nga ata me gjendje ekonomike mesatare 660 akçe dhe nga të varfërit 330 akçe. Në shek. XIX Xh. pati një tjetër rritje të ndjeshme: për një «fletë» Xh. nga të pasurit merreshin 36 grosh, nga ata me gjendje ekonomike të mesme 18 grosh dhe nga të varfërit 9 grosh.

Xh. vilej me sistemin e sipërmarrësve, të cilët e rëndonin më tepër barrën e detyrimit, duke grumbulluar abuzivisht deri në dyfishin e saj. Megjithëse Xh. u hoq zyrtarisht më 1856, ajo vazhdoi të vilej edhe në gjysmën II të shek. XIX. U suprimua me shpalljen e Pavarësisë.

(P. Th.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Xhizja


[cite]