XHUBLETA


XHUBLETA
✤ Veshje tipike e grave në një pjesë të Shqipërisë V, mbi lumin Drin, nga Nikaj-Mërturi e Rugova deri në Malësi të Madhe dhe në disa pjesë të popullsisë shqiptare në Mal të Zi (Jugosllavi).

Xh. është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e prapme. Bëhej nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh, mbahej e varur në supe me dy rripa të gjerë. Ne shek. XVIII Xh. bëhej me shumë ngjyra, por në shek. tonë ato kanë arritur pothuaj krejt të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat.

Kostumi me Xh. kishte dhe si pjesë të tjera kraholin, xhokën, kërdhoklën, paranikun, kallmat e shputat etj. Xh. është me prejardhje të lashtë. Paraqet analogji me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Kliçevac të Bosnjës (Jugosllavi), por edhe në vise të tjera të Mesdheui që i përkasin mijëvjeçarit të dytë p.e.r. dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.

(A. Gj.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Xhubleta


[cite]