ZAMBAKU SHQIPTAR


ZAMBAKU SHQIPTAR
✤ (Lilium albanicum, Griseb, L. carniolicum Bernh et Koch). Bimë barishtore shumëvjeçare , qepore, e familjes zambakore (Liliaceae), me kërcell deri 40 cm të lartë, me gjethe heshtore të qerpikëta, me një rreth luleje të përbërë nga 8 petëla të verdha rreth 3 cm të gjata, të shpërveshura. Lulëzon në qershor korrik, bën fryt kapsulë. Si element ballkanik me epiqendër areali Shqipërinë dhe tepër i kufizuar në Greqi, Z. Sh. konsiderohet si neoendemik i vendit, i përhapur pothuaj në gjithë territorin, zakonisht në vende me bar, në kullota, në vende të thata shkëmbore të zonave malore deri në lartësinë 1700 m. Shumohet kryesisht në mënyrë vegjetative, por edhe me farë. Mund të futet në kulturë si bimë zbukuruese.

(Xh.Q.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Zambaku Shqiptar


[cite]