ZEJTARIA


ZEJTARIA
✤ Degë e prodhimit që përpunon lëndët e para bujqësore, blegtorale, pyjore e minerale me vegla të thjeshta e me dorë, duke u mbështetur sidomos te puna vetjake dhe mjeshtëria e zejtarit. U shkëput që në gjirin e bashkësisë primitive nga bujqësia e blegtoria, u zhvillua më parë kryesisht në qytet e më pak në fshat për të plotësuar nevojat për ushqim, veshmbathje, vegla pune, orendi e stoli etj., dhe është ruajtur pjesërisht edhe pas zhvillimit të prodhimit industrial me makina. Mënyrat e ushtrimit e të organizimit të Z. kanë ndryshuar sipas formacioneve ekonomike-shoqërore. Në periudhën antike Z. ishte punë e zejtarëve të lirë e pastaj e skllevërve privatë ose shtetërorë.

Gërmimet arkeologjike në Shqipëri kanë dhënë dëshmi të shumta për zhvillimin e Z. dhe nivelin e saj teknik e artistik tek ilirët (shih) e mandej tek arbëreshët e mesjetës së hershme. Në periudhën e feudalizmit të zhvilluar (shek. XIII-XV) në qendrat kryesore qytetare (Shkodër. Durrës, Berat, Prizren etj.) kishte mbi 40 Iloje Z. Shquheshin për përpunimin e metaleve, ndërtimet, punimin e pëlhurave, të lëkurëve, dyllit etj. Zejtarë kishte në një varg fshatrash, pranë manastireve etj.

Pas pushtimit osman të Shqipërisë, ekonomia pësoi një goditje -të rëndë. Në sajë të traditave të trashëguara Z. doradorës u mëkëmb, u shtua numri i zejeve. që gjallëruan jetën qytetare e tregjet lokale. Në shek. XVII-XIX rritja e kërkesave të brendshme e të jashtme për mallra i dha hov zhvillimit të Z. në qendrat kryesore: Shkodër, Prizren, Elbasan, Berat etj. Numri i zejeve arriti 80 lloje. Disa krahina u dalluan për prodhimet e veçanta: Shkodra, Prizreni e Elbasani për prodhimin e zbukurimeve e armëve, Elbasani, Berati, Prizreni për argjendarinë, Korça për qilimat e velenxat, Kavaja për poçerinë, Gjirokastra për bulmetin e opingat etj. U l’ormua një shtresë mjeshtrash vendas me kualifikim e përvojë, që u dhanë krijimeve të tyre zejtare tipare teknike* -stilistike të veçanta, origjinale dhe të një niveli të lartë. Prodhimet e kësaj Z. përveç vlerave të përdorimit ishin njëkohësisht objekte artistike dhe shquheshin për tiparet kombëtare.

Nga gjysma II e shek. XIX Z. në Shqipëri nisi të hinte për shkak të konkurencës së mallrave evropiane, që qeveria osmane i lejonte të hynin lirisht. Pas Pavarësisë Z. plotësonte nevojat kryesore të vendit për sendet e përdorimit të përditshëm, pasi ind. u zhvillua me ritme të ngadalta. Me politikën e dyerve të hapura të regjimit të Zogut dhe sidomos gjatë krizës botërore më 1929-1935 u rrënuan shumë zejtarë. Më 1938 ushtroheshin 30 lloje nga rreth 5 mijë zejtarë në 3000 dyqane e në shtëpi të tyre. Gjatë Luftës II Botërore prodhimi ra dhe u shkatërruan qindra ekonomi zejtare.

Pas Çlirimit Z. përjetoi një ringjallje me forma moderne organizimi e prodhimi siç ishin koop. e artizanatit (shih), e më pas ndërmarrjet e artizanatit, duke vijuar në një nivel më të lartë traditat më të mira të së kaluarës.

Shih edhe: Prodhimet artistike, mjeshtëritë popopullore.

(Z.Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Zejtaria


[cite]