12.4 Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare në Kosovë
Sikundër në Shqipëri, dramaturgjia në Kosovë kurrë nuk ka njohur ndonjë traditë të
shëndoshë. Fillimet e dramës shqiptare6 në Jugosllavi gjenden, për çudi, jo brenda Kosovës, por
në bregdetin e largët dalmat. Ashtu si poeti e tregimtari i hershëm Shime Deshpali (1897-1980),
edhe Josip Rela7 (1895-1966) lindi dhe u rrit në fshatin Arbanas (Borgo Erizzo), sot rrethinë e
Zarës (Zadar), fshat i themeluar më 1726 nga shqiptarë të ardhur prej Brisku e Shestani në
perëndim të liqenit të Shkodrës. Rela, i cili ka punuar mësues, drejtor teatri dhe drejtor shkolle
në Zarë, është autori i një numri pjesësh melodramatike të shkruara në gegërishten e tij arkaike,
pjesë që mund të thuhet se përbëjnë orvatjet e para serioze të dramës në gjuhën shqipe në
Jugosllavi. Më e mirënjohura nga veprat e tij është tragjedia në katër akte Nita, e cila evokon
fatin tragjik të një vajze nga Brisku, e zënë ngushtë midis dëshirave të saj dhe kanunit. Nitën e
rrëmben një ushtar turk, por e shpëton Zefi, i cili e vret ushtarin. Për të shpëtuar nga hakmarrja
e turqve, i gjithë fshati shtrëngohet të marrë arratinë. Vetëm Zefi, pasi u ka dhënë fjalën se do
t’i ndjekë, mbetet në fshat, kurse Nita i jep fjalën se do ta presë. Kalojnë tre vjet. Për t’i shpëtuar
trysnisë që po i bëhet për t’u martuar me dikë tjetër në vendin e ri ku kanë vajtur e për të
mbajtur fjalën e dhënë, Nita, duke mos pasur më shpresë që të takohet me Zefin, bëhet sipas
kanunit virgjineshë8. Gjendja bëhet dramatike kur pas pak kohe mbërrin e del në skenë Zefi. E
dëshpëruar, Nita e shkel betimin, diçka kjo që nuk mund të merrej me mend në shoqërinë
tradicionale shqiptare. Edhe pse Zefi në fund arrin t’i bindë pleqtë e fshatit se Nita kishte bërë
një betim tjetër më parë për ta pritur dhe se kanuni nuk duhej zbatuar në mërgim, Nita nuk gjen
rrugë tjetër përveç vetëvrasjes.
Murteza Peza (1919-1981) është dramaturg dhe prozator shqiptar nga Maqedonia. Ka
lindur në Elbasan dhe është shpërngulur në Jugosllavi më 1941, ku dhe mori pjesë në lëvizjen
partizane në Maqedoni. Ndonëse disa nga pjesët e tij teatrore, më e mira prej të cilave është
Parajsi i humbur, janë të cekëta dhe thjesht moralizuese, ndihmesa e tij për fillimet e
dramaturgjisë shqiptare nuk mund të mohohet.
Dramaturgë të tjerë me emër të kësaj periudhe janë Hivzi Sulejmani (1910-1975) nga
Mitrovica, i njohur më shumë si prozator; Xhemil Doda (1915-1976) nga Prizreni, i cili ka
përdorur mjaft material folklorik për dramatizimin e tragjedisë vetjake të një malësori në pjesën
Halit Gashi; Kristë Berisha (l. 1923) nga Peja, i cili, me komedinë e tij burleske Kryet e hudrës
në zhanrin ‘commedia dell’ arte’ hodhi themelet e komedisë në Kosovë; gazetari dhe politikani
Jusuf Kelmendi (l. 1927) me veprën e tij dramatike Hakmarrja, një hetim i hakmarrjes; aktori
dhe kinoregjisori Muharrem Qena (l. 1930) nga Mitrovica, i shquar sidomos për dramën në tri
akte Bashkëshortët, Prishtinë 1982, të nderuar me çmim.
Shfaqja e parë teatrore në gjuhën shqipe më Kosovë thuhet se ka qenë organizuar nga
Mati Logoreci (1867-1941) nga Shkodra, i cili pati hapur të parën shkollë në gjuhën shqipe në
Prizren më 1 maj 1889. Por përdorimi publik i gjuhës shqipe qe ndaluar si nën sundimin e
Perandorisë Osmane ashtu edhe më vonë, kur Kosova u përfshi në Mbretërinë e Jugosllavisë më
1918. Ky ndalim natyrisht e pengonte zhvillimin e teatrit dhe të dramaturgjisë shqiptare. Gjatë
pushtimit italian dhe gjerman nga 1941 deri më 1944 u hapën shkolla shqipe, kurse në mbarë
Kosovën, për herë të parë, ndonëse në kushte mjaft të vështira, u dhanë shfaqje nga grupe
teatrore amatore. Menjëherë pas ‘çlirimit’ më 1945, u ngrit një teatër profesionist, Teatri
Popullor, në Prizren, i cili asokohe qe kryeqendra administrative e krahinës. Ky teatër jepte
shfaqje në të dy gjuhët, shqip e serbokroatisht, por jetoi vetëm një stinë, sepse kryeqendra
administrative u transferua në Prishtinë. Teatri Popullor Krahinor në Prishtinë u themelua në
shtator 1948 dhe shfaqjen e vet të parë në gjuhën shqipe e dha më 1 maj 1949. Viti 1949 qe vit
me rëndësi për kulturën shqiptare në Kosovë, sepse shënoi edhe themelimin e së parës revistë
letrare në gjuhën shqipe Jeta e re, të botuar nga poeti Esad Mekuli (1916-1993). Me këtë revistë
për herë të parë fituan një tribunë jo vetëm poetët dhe prozatorët, por edhe dramaturgët
shqiptarë në mbarë Jugosllavinë jugore. Vitet pesëdhjetë dëshmuan edhe themelimin e Teatrit
të Kombësive në Shkup, kryeqytet i Maqedonisë me një bashkësi të madhe shqipfolëse9. Teatri
i Shkupit tani konkurron me atë të Prishtinës dhe të Gjakovës si qendër e dramës në gjuhën
shqipe në ish-Jugosllavi.
Pengesat më të mëdha për përdorimin publik të gjuhës shqipe e për evoluimin e kulturës
shqiptare në Jugosllavi u ndërprenë me Plenumin historik të Brioneve të Komitetit Qendror më
1966. Më 1968 në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë u ngrit një kurs dyvjeçar i
dramaturgjisë, i cili u përfshi në programin e Institutit Pedagogjik për të përmirësuar nivelin e
lojës së aktorit e të regjisurës në Kosovë. Dhe përmirësimi u ndie vërtet menjëherë. Deri në
mesin e viteve gjashtëdhjetë, repertori i teatrove të Kosovës ishte përbërë thuajse tërësisht nga
vepra jugosllave e të huaja të përkthyera shqip. Më 1967 poema shqiptare e fillimit të shekullit
të nëntëmbëdhjetë e Muhamet Kyçykut (1784-1844) Erveheja u përshtat për skenë me sukses
nga Muharrem Qena, drejtor i Teatrit Popullor Krahinor dhe nga Ahmet Qirezi. Erveheja u vu
në skenë më pas në Tiranë më 1972. Më 1969, në epokën e Samuel Beketit (Samuel Beckett,
1906-1989), Alber Kamysë (Albert Camus, 1913-1960), Zhan Pol Sartrit (Jean-Paul Sartre,
1905-1980) dhe Eugjen Joneskos (Eugène Ionesco,1912-1994), dramaturgu dhe romancieri
kosovar Anton Pashku (1937-1995) nga Grazhdaniku i solli për herë të parë publikut shqiptar
‘teatrin absurd’ me pjesët e tij që ngjallën mjaft diskutime, Sinkopa, Prishtinë 1969, dhe Gof,
Prishtinë 1976. Këto drama natyrisht nuk u vunë në skenë në Tiranë, ku eksperimente të tilla shpalleshin kategorikisht të dëmshme për rininë e për përparimin shoqëror.
Në fillim të viteve shtatëdhjetë një liberalizim i politikës së Jugosllavisë ndaj ‘pakicës’
shqiptare dhe një përmirësim i përkohshëm i marrëdhënieve midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë
sollën një shtim të kontakteve kulturore midis Prishtinës dhe Tiranës, me shkëmbime
ansamblesh, regjisorësh, aktorësh, shkrimtarësh dhe profesorësh universiteti. Ndonëse këto
shkëmbime qenë të frytshme për të dyja palët, dobinë e patën të kufizuar. Dogmatizmi i rëndë
në politikë dhe propaganda staliniste e palës shqiptare shihej me mjaft dyshim nga autoritetet
jugosllave, kurse gama më e gjerë dhe natyra eksperimentale, eklektike e një pjese të mirë të
teatrit në Kosovë shihej po me aq dyshim nga autoritetet e Tiranës. Në këto rrethana barrierat
politike përsëri u bënë pengesë për zhvillimin e një kulture shqiptare të njësuar. Pas kryengritjes
së vitit 1981 në Kosovë, të gjitha kontaktet kulturore me Shqipërinë praktikisht u ndërprenë.
Nga dramaturgët e tjerë të sotëm në Kosovë mund të përmenden sidomos studiuesi
Rexhep Qosja (l. 1936), autor i Mite të zhveshura, Prishtinë 1978; poeti Azem Shkreli (1938-
1997), autor i pjesëve Fosilet, përshtatje për skenë më 1969 e romanit të tij Karvani i bardhë,
Prishtinë 1960, dhe Varri i qyqes; romancieri, poeti dhe kritiku Teki Dërvishi (l. 1943), autor
i tragjikomedisë Pranvera e librave, Prishtinë 1990, dhe Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, Prishtinë
1990, në nëntë pjesë, që rikrijon botën e humbur të këtij autori shqiptar të shekullit të
shtatëmbëdhjetë; Beqir Musliu (1945-1996) nga Gjilani; shkrimtari prodhimtar dhe krijues
Ymer Shkreli (l. 1945), autor i Trilogjia e re, Prishtinë 1990; kritiku dhe poeti Sabri Hamiti
(l. 1950), pjesa në pesë akte e të cilit Fata, Prishtinë 1988, ishte një refleksion politik për
kryengritjen e vitit 1981; dhe poetja e arkeologia Edi Shukriu (l. 1950) nga Prizreni, drama e
parë e së cilës Kthimi i Euridikës u botua më 1987.
_____________
6 Mbi dramën shqiptare në Kosovë në përgjithësi, kr. Shita 1991, dhe Rexhaj 1994.
7 kr. Qosja 1968.
8 Virgjinesha është një institut i kanunit në Shqipërinë e veriut, sipas të cilit femra, kur nuk dëshiron të martohet, betohet se do të ruajë virgjërinë dhe, nëse merr miratimin e dymbëdhjetë pleqve të fshatit, fiton statusin e burrit. Që nga ky çast ajo ka të drejtë të mbajë armë, të vishet si burrë e të shoqërohet si e barabartë me burrat e fisit. Virgjineshat kanë ekzistuar deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, disa edhe deri në kohët e fundit. Në një rast në Mal të Zi, të afërmit e të vdekurit e morën vesh vetëm pas vdekjes se xhaxhai i tyre plak kishte qenë hallë.
9 Për teatrin bashkëkohor shqiptar në Maqedoni, kr. Ndoci 1991.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia