8.2 Rënia e traditës myslimane
Pothuajse të gjithë autorët e mbetur të letërsisë myslimane të shekullit të njëzetë që
njohim sot janë nga Kosova. Njëri nga më pjellorët ndër ta ka qenë Hilmi Abdyl Maliqi14
(1856?-1928), i njohur edhe si Sheh Mala i Rahovecit apo Sheh Maliqi. Ka lindur në Kopila
Gllavë afër Rahovecit dhe mori një shkollim të mirë në Rahovec dhe në medresenë e Mehmet
Pashës në Prizren, duke mësuar jo vetëm shqipen e serbo-kroatishten, por edhe turqishten,
persishten dhe arabishten. Poezia e tij mistike, përshkruese dhe sentimentale në një divan prej
shtatëdhjetë e shtatë vjershash, ende pjesa më e madhe e pabotuar, shënon një kalim nga poezia
orientale tradicionale në poezinë e periudhës së vonë të Rilindjes. Maliqi është autor edhe i
gjashtëmbëdhjetë risaleteve apo letrave fetare dhe i disa përkthimeve nga turqishtja, persishtja
dhe arabishtja, ndër to edhe një përkthim katërqind-faqesh i Wâridât të poetit, juristit dhe
kryengritësit arab Bedr ed-Dîn nga Samauna (1358-1416). Thuhet se dorëshkrimet e Maliqit
ruhen në teqenë e Rahovecit. Bashkëkohësi i Maliqit Haxhi Ymer Lutfi Paçarizi15 (1871-
1929) ishte poet dhe klerik mistik nga Prizreni që ndoqi studimet në medresenë Fatih në
Stamboll. Ndonëse i mbrujtur me traditën islame, ai e përshëndeti Revolucionin e Tetorit dhe
mbështeti Partinë Komuniste të sapoformuar në Shkup që më 1920, veprimtari që e vuri në
konflikt me policinë serbe. Nxënës i shquar i Hilmi Maliqit ka qenë Shaip Zurnaxhiu (1884-
1951), një dervish melami nga fshati Mamushë. Ai është autor i shtatëmbëdhjetë vjershave
shqip, njëzet në turqisht dhe pesë në serbokroatisht, të gjitha të shkruara me alfabet arab. Poezia
e tij me ngarkesë të mirë emocionale e me një shqipe pak të përzier me fjalor oriental përfshin
tema fetare dhe lirika dashurie.
Edhe pse alfabeti arab ishte përdorur për shqipen për gati dy shekuj, ai kurrë nuk i shkoi
plotësisht për shtat sistemit fonologjik të shqipes dhe kishte raste që shkaktonte keqkuptime për
lexuesin pa përvojë. Rexhep Voka16 (1847-1917), studiues nga Tetova, iu përkushtua këtij
problemi dhe propozoi një alfabet me shkronja arabe të përbërë prej dyzetekatër shkronjash,
bashkëtingëllore e zanore, të cilin e botoi në librin e tij Elifbaja shqip, Stamboll 1911 [1327
A.H.] (Abc-ja shqip). Rexhep Voka, lindur në fshatin Shipkovicë të rajonit gjerësisht shqipfolës
në Tetovë, i nisi studimet në Stamboll më 1868 ku dhe më vonë punoi si mësues dhe gazetar. U
kthye në Tetovë më 1895 dhe u aktivizua si myfti në Manastir gjatë revolucionit të xhonturqve
si dhe anëtar i shoqërisë Bashkimi. Voka është autor i tri veprave të tjera të shquara: Vendimet
e Kongresit të Dibrës, Manastir 1909 [A.H. 1325]; Mendime, Stamboll 1911 [A.H. 1328], në të
cilën parashtron gjendjen e prapambetur të Shqipërisë dhe nevojën për arsim; dhe Arnavudçe
müfessal ilmihal, Stamboll 1911 (Abetare shqip për fenë). Alfabeti i Rexhep Vokës nuk kaloi
pa u ndjerë dhe u përdor një vit pas botimit nga një i quajtur Fadil Bodinaku17 (1870?-1932)
ose Fazili nga Tirana, i cili shtypi një gramatikë 32-faqesh të shqipes me titullin turqisht Sarfi
iptidai arnavudi, Stamboll 1911 (Gramatikë elementare e shqipes). Por në këtë kohë, shkrimi i
shqipes me alfabet arab për veprat jofetare i pati ditët të numëruara.
Po nga kjo periudhë kemi një numër poetësh myslimanë pak të njohur, nga të cilët
vetëm pak vjersha kanë ardhur deri në ditët tona. Ndër ta janë: Dervish Veseli (1887-1950) nga
Rahoveci, i cili ka bërë shumë udhëtime në Lindjen e Afërme dhe vdiq nga një aksident në
teqenë e madhe Sadiu në Gjakovë më 1950; Hafiz Imer Shemsiu (1893-1945), imam në
Talinovc, që hapi një shkollë fillore në gjuhën shqipe në Sazli-Talinovc dhe nga tridhjetë
vjershat fetare të çmuara të të cilit kemi vetëm tri; Dervish Idrizi, kovaç nga Gjakova dhe autor
i një vjershe me datë 1908; mësuesi Faik Maloku (1900-1935), i njohur edhe si Faik efendiu
nga Prishtina, Sheh Osmoni i Junikut nga të cilët kemi nga një vjershë; dhe Hafiz Islami (rreth
v. 1910 – rreth v. 1934), pseudonim i Islam Mehmet Bytyqit, nga fshati Mllanaviq i Llapushës,
i cili pas studimeve fetare në Gjakovë nën Fahri Efendiun vdiq i ri gjatë shërbimit ushtarak në
Slloveni. Edhe një i quajtur Sheh Ahmedi nga Shkodra, dervish i sektit Rufai, ka qenë pak i
njohur deri vonë, kur njëzet e tre nga vjershat e tij me tema fetare apo me frymë të hollë
kombëtare u zbuluan në një dorëshkrim në Strellc të Epërm afër Deçanit18. Sheh Hyseni i
Halvetive (1873-1926) ka qenë studiues feje i sektit Halveti në Prizren dhe nga ai kemi një ilahi
(himn fetar) me njëzetekatër vargje pa kurrfarë vlere letrare apo teologjike të veçantë. Me sa
duket, asgjë nuk ka mbetur nga veprat e Azem Efendi Ollurit (1825-1913) nga Kroimiroc në
Kosovë ose nga bashkëkohësi i tij Hasan Efendi Hoti prej Drenice të Kosovës, divanin shqip
të të cilit e ka pasur i biri deri më 194519.
Dy poetë aktivë në vitet 1930 e 1940 i japin fund dhe e mbyllin historinë e letërsisë
shqipe me alfabet arab. Vejsel Xhelaludin Guta (1900-1979) ka lindur në fshatin Zaskok afër
Ferizajt në Kosovë; studioi në medresenë e Mehmet Pashës në Prizren, ku mësoi arabishten dhe
persishten. Më vonë shërbeu si imam dhe mësues shkolle në Vojnoc afër Shtimes. Nga poezia
e tij kemi pesë ilahi dhe një vjershë tjetër të vitit 1942. Mulla Hysein Hysni Statovci (l. 1900),
lindur në Batllavë, jetoi në Prishtinë dhe Podujevë, ku edhe shërbeu si nëndrejtor i shkollës
fillore myslimane të hapur nga Faik Maloku, që përmendëm më sipër. Ai mori pjesë në jetën politike e shoqërore të Kosovës së paraluftës dhe ishte luftëtar i flaktë për mësimdhënien në
gjuhën shqipe. Shkroi vjersha midis viteve 1935 dhe 1947.
Me këta dy poetë të fundit fetarë, ende aktivë gjatë Luftës së Dytë Botërore, tradita e
shkrimit shqip Alhamiado (span. aljamiado) merr fund një herë e mirë. Edhe pse letërsia
shqiptare me alfabet arab kishte qenë gjithmonë e ndikuar fuqishëm nga Islami dhe traditat
kulturore të Orientit, në shekullin e njëzetë ajo ishte kthyer në një veprimtari fetare e liturgjike
të kohës së lirë, e ushtruar thuajse vetëm nga dervishë, imamë dhe klerikë vendorë, kryesisht në
Kosovë. Edhe pse anakronike në vetvete, ajo e ruajti njëfarë flake të kulturës shqiptare në
Jugosllavinë jugore në një kohë kur librat dhe shkollimi në gjuhën shqipe as mund të
mendoheshin e kur njerëzit që e mbronin haptas këtë çështje u nënshtroheshin menjëherë
përndjekjeve të egra të autoriteteve serbe. Në një atmosferë të tillë të rëndë shtypëse, kjo letërsi
Alhamiado u shërbeu shkrimtarëve shqiptarë si liman shpëtimi, meqë alfabeti i saj arab dhe
karakteri i dukshëm fetar e bënin tepër të largët e tepër të mbyllur për sulmet dhe shtypjen e
mundshme nga ana e autoriteteve të Beogradit; e bënin një botë të pakuptueshme misticizmi
oriental të ushqyer në teqetë e veçuara, xhamitë dhe medresetë nga një pakicë myslimane në
dukje pa shkollë, pa pasuri e jo fort e kuptueshme brenda mbretërisë kristiane të sllavëve të
jugut.
Vepra të tjera myslimane me alfabet arab janë shkruar pa dyshim midis dy luftërave
edhe në Shqipëri, krahas letërsisë ‘së vërtetë’ me alfabet latin, që u zhvillua me vrull, por pak
gjurmë të së parës kanë dalë në dritë. Është e sigurt që krijime të tilla me alfabet arab, qoftë me
pretendime letrare apo jo, janë zhdukur ose kanë humbur gjatë fushatës revolucionare për
heqjen e fesë në Shqipëri më 1967, e cila shpuri në fakt në shkatërrimin fizik të të gjitha
xhamive, teqeve, kishave dhe manastireve në mbarë vendin. Mendimi i përgjithshëm sot në
Shqipëri është se shumë vepra arti kanë përfunduar thjesht në koshin e plehrave ose janë djegur.
Me sa duket të tri vëllimet me vjersha të poetit bektashi Ibrahim Hasnaj bëjnë një përjashtim.
Vitet që vijnë do të tregojnë se çfarë tjetër ka mbetur nga kjo traditë letrare e shuar.

___________
14 kr. M. Krasniqi 1953, Pirraku 1979, f. 226-235, dhe për një studim gjuhësor Ajeti 1966 dhe 1985, vëll. 2, f. 217-248.
15 kr. M. Krasniqi 1955 dhe Kaleshi 1962.
16 kr. Kaleshi 1956, f. 372-383, Pirraku 1979, f. 221-225, dhe Voka 1991.
17 kr. Kaleshi 1956, f. 383.
18 kr. Salihu 1987, f. 436.
19 kr. Pirraku 1979, f. 204-206.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]