(Term nga Kodikët e Shqipërisë)
Nga lat. “scriptorium”. Qendra të kopjimit të kryeveprave të kohës antike, ngritur në mjeshtëri dhe të përhapura në arealin paleoballkanik, fillimisht nën kujdesin e Perandorisë Romake, e cila kujdesej për mbijetesën e kulturës së lashtë dhe pastaj nën kujdesin e kishës, e cila kujdesej për kopjimin e përpiktë të teksteve ungjillore. Shkronjëtore, vende ku shkruesit kopjonin tekstet origjinale, duke pasur një arketip përpara, për nevoja të kultit dhe të kulturës (M. Korkuti, “Parailirët, ilirët, arbërit”, Tiranë 2003, f. 80-81). Mendimi se në hapësirën shqiptare ka pasur shkolla bukurshkrimi, që nënkuptojnë skriptoriumet, është mbrojtur edhe nga Th. Popa, K. Naço, R. L. Mullen dhe të tjerë. Në Beratin e periudhës mesjetare numëroheshin së paku gjashtë shkolla bukurshkrimi (Popa). „Në shekullin e 12-të, krahas statutit të qytetit të Durrësit, si rezultat i krijimit të vëllazërive – “confraternitas“ – të tregtarëve, të piktorëve, të gurgëdhendësve … dhe të kopjuesve të librave, që gjendeshin me shumicë rreth katedrales së qytetit … lindën edhe statutet e veçanta për çdo vëllazëri“ (“Durrësi, itinerar historik, kulturor dhe arkeologjik“, Tiranë 2003, f. 153).
Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë