(Term nga Kodikët e Shqipërisë)
Shkronjë dore karakteristike për një numër tejet të kufizuar dorëshkrimesh të periudhës së krishtërimit të hershëm, prej shekullit të 4-t deri në shekullin e 8-të, rrallë herë më vonë. Eshtë përdorur edhe tek “Beratinus”, përveç “Rossanensis” dhe dy-tre të tjerëve. Uncial-i, megjithëse grafemë e shkrimit të dorës, është germë e tipit kapital, e formatit të madh, e mbushur, si rregull kuadrat, me përjashtim të germave “e” (Î) dhe “C”, të cilat janë dukshëm të hënëzuara (lunatike), sido që edhe të tjerat kanë pak harkim. Uncial-i, sipas paleografëve, u përdor në periudhën e shkrimeve scriptio continua. Zakonisht shkronja e tipit uncial gjendet e përdorur në pergamenë të purpurt, në shkrime ungjillore. Uncial-i merr rëndësi për faktin se lehtëson periodizimin e shkrimeve dhe ndihmon në përcaktimin e kufijve kohorë të dorëshkrimeve. Nuk duhet ngatërruar me termin maiuscule, i cili ka një kuptim më të gjerë. Nuk duhet ngatërruar, gjithashtu, me inicial-et, që është germa fillestare e fjalisë hyrëse në tekstet ungjillore, zakonisht e shkruar në formën kapitale, e zbukuruar. “From the Ninth Century we have Byzantine majuscule (uncial) manuscripts of sufficient number that we can place them more or less into families” (Roderic L. Mullen); “With the fixing of the typikon, the order of festivals and readings for the Christian year, there was a corresponding need felt at the very end of the era of uncial manuscripts for easily usable service books” (Roderic L. Mullen). Uncial-i është përdorur në “Beratinus-1” dhe fragmentarisht në Kodikun e 3-të, të Beratit. Batiffol-i ka përshkruar uncial-in e shkrimit të “Beratinus-1”. Në tekstin e Batiffol-it kjo fjalë germëzohet në formën “oncial”, ndoshta nën ndikimin e formës së shqiptuar. Shenja të “oncialit” Batiffol-i ka gjetur edhe te “Beratinus-2” e te ”Codex Theodhræ”. Për ilustrim të këtyre gjurmëve të shkrimit të vjetër ai veçon e krahason germën “b” të greqishtes.
Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë