RRYMAT OQEANIKE

(deti)

Shpesh valët e oqeanit sjellin në brigjet e Grënlandës e të Islandës trungje pemësh, që janë shkulur nga lumenjtë e Siberisë gjatë brigjeve të tyre dhe janë hedhur në Oqeanin e Ngrirë të Veriut. Po kështu, në brigjet e Skocisë, shpesh dallgët sjellin fruta pemësh që rriten në ishujt Antile, në brigjet e përtejme të Oqeanit Atlantik. Këto sende lundrojnë në largësi kaq të mëdha në sajë të rrymave oqeanike, që rrjedhin si lumenj viganë përmes ujërave të oqeanit. Në tërë Oqeanin Botëror, si në gjysmërruzullin verior ashtu dhe në atë jugor, zhvendosen masa uji vigane, që përshkojnë me mijëra kilometra, si ca lumenj të stërmëdhenj. Këto zhvendosje të masave ujore quhen rryma oqeanike. Rrymat oqeanike janë sipërfaqësore dhe thellësinore. Shkaku kryesor i rrymave oqeanike sipërfaqësore janë erërat. Ndërsa rrymat e thellësisë shkaktohen nga ndryshimet e dendësisë së ujit të oqeanit në pjesë të ndryshme të tij. Kështu, uji i kripur i Oqeanit Atlantik, kur ndeshet me ujin më pak të kripur (pra më të lehtë) të Oqeanit të Ngrirë të Veriut, zhytet në thellësi dhe vazhdon rrugën e tij deri në Polin e Veriut e bile edhe më tutje.

Qielli – Deti – Toka

[cite]