Turizmi i Haneve në Shqipëri

Hanet janë stuktura të vogla me arkitekturë tradicionale, të cilat kanë qenë të përhapura në të gjithë territorin e Shqipërisë. Këto struktura kanë ekzistuar që nga periudhat e vjetra dhe kanë vazhduar madje deri në gjysmën e parë të shekullit të XX. Ato kryenin funksionet e akomodimit, fjetjes dhe ushqimit për udhetarët e ndryshëm vendas apo të huaj. Po kështu edhe funksionet e strehimit dhe të ushqimit të kuajve për udhëtarët dhe karvanet e ndryshme që lëviznin në atë periudhë kohe. Shumë nga udhëtarët e ndryshëm të cilët kanë vizituar Shqipërinë, duke përmendur këtu udhëtarin dhe poetin anglez Lord Bajronin, udhëtaren dhe studiuesen angleze Edit Durham, konsullin francez Pukëvil, profesorin e Universitet të Vjenes, Karl Patch, historianin anglez Hamond, e shumë e shumë të tjerë, i kanë përshkruar në shkrimet e tyre këto lloj strukturash, duke venë në dukje anën e tyre autentike dhe mikpritjen e gjetur në to. Sot, duke jetuar kohët moderne dhe në një periudhë globalizimi, turistët janë të prirur në kërkim të origjinales dhe të asaj e cila mbetet e veçantë.

Në këtë kontekst, duhet të përmendin edhe projektin e “40 Haneve,” të ndërmarrë nga ana e Ministrsië së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”. Ky projekt synon rivitalizimin e këtyre strukturave të vjetra dhe “epike” të Shqipërisë, në mënyrë që ato të përshtaten si struktura akomoduese për turistët. Objekti kryesor i këtij projekti është zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm duke shfrytëzuar bukuritë natyrore dhe kulturën e këtyre zonave. Po kështu, diversifikimi i ofertës turistike, nëpërmjet formave të ndryshme të turizmit, siç janë agro-turizmi, eko-turizmi, turizmi kulturor, ai malor, etj. Padyshim që është i përfshirë në këto aktivitete dhe komuniteti vendas. Zona ku përfshihet ky projekt është shumë i gjërë, por specifikisht është ai i veriut të Shqipërisë, në zonat e malësisë së Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe. Gjithsesi, mundësitë janë që ky lloj turizmi të shtrihet në të gjithë territorin e vendit.

Materiali që po ju ofrojmë në këtu, evidenton disa nga strukturat e zgjedhura nga pesë rajonet më interesante të veriut të vendit. Shpresojmë që ky informacion të jetë sa më i dobishëm për ju dhe njëkohësisht edhe sa më tërheqës, me qëllim frekuentimin nga ana e juaj të ktyre strukturave.

Hanet në Shkodër
Shkodra është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë, e themeluar në shek IV (p.l.k) si kryeqendër e fisit Ilir të Labeatëve. Atraksioni kryesor turistik i qytetit është kalaja e Rozafës, e cila ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujrat e tre lumenjve të Drinit, Bunës dhe Kirit. Kalaja ka origjine Ilire. Sipas historianit Tit Liri “… ajo ishte vendi më i fortë i labeateve”. Trajtën e sotme kalaja e ka marrë gjatë periudhës së sundimit të Balshajve. Ajo ka kaluar periudha të ndryshme nga të cilat ka gjurmët përkatëse si ajo veneciane, osmane ( shek XVI – XVII), e Bushatllinjve (shek XVIII – XIX). Objekte të tjera për tu vizituar në qytetin e Shkodrës janë, Muzeu Historik, Fototeka Marubi, etj. Farë pranë qytetit ndodhet liqeni i Shkodrës, më i madhi në gadishullin Ballkanik, me sipërfaqe 368 km2, (Shqipërisë i përkasin 149 km2). E veçanta e tij është tipologjia e ndryshueshme e brigjeve. Bregu jugor është i ulët, i tipit të “marsheve”, ndërsa ai verior është breg i lartë dhe shkëmbor. specialiteti kryesor është gatimi karakteristik i “tavës së krapit”. Klima e liqenit të Shkodrës është e ngrohtë me 250–260 ditë me diell në vit. Aktivitetet kryesore janë noti, banjat e diellit dhe vozitjet me varkë. Krahas këtyre potencialeve, liqeni i Shkodrës përbën edhe një eko–sistem mjaft të rëndësishëm natyror. Këtu gjenden 281 specie shpendësh. Ujrat e liqenit janë të pasura me 45 lloje peshqish, ku më të rëndësishmit janë krapi, ngjala e shtojza .

Hanet në VERMOSH
Përbën skajin më verior të Republikës së Shqipërisë. Ai gjendet në një distancë prej 95 km nga qyteti i Shkodrës. E gjithë kjo zonë quhet krahina e Kelmendit. Këtë emër mban edhe komuna në fjalë. Ky emërtim vjen nga fjala latine “climens”, që do të thotë i urtë, i thjeshtë, i mirë. Mbasi udhëtohet në një rrugë dramatike dhe spektakolare malore nga Shkodra për në Vermosh, duke kaluar objekte të tilla si qafën e Rrapshit dhe urën e Tamarës mbi lumin e Cemit, udhëtari mbërrin në fshat, i cili është ngritur mbi një fushë malore të krijuar nga lumi i Vermoshit, apo siç quhet ndryshe lumi i Limit. Gjendemi në një luginë me origjinë akullnajore, të vendosur në lartesinë 1.100 metra mbi nivelin e detit. Në të dy anët e luginës, ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe halorët. Vermoshi shquhet për panoramën e tij si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit. Një ndër aktivitetet, të cilat zhvillohen për çdo vit në Vermosh është “Logu i Bjeshkëve”, ku kryhet kompeticioni në të cilin zgjidhet “Miss Bjeshka”. Vajzat konkuruese ekspozojnë kostume kombëtare tradicionale të zonës së Kelmendit dhe Malësisë së Madhe. Në këtë aktivitet marrin pjesë shumë kelmendas të emigruar në Shtetet e Bshkuara të Amerikës, Kanada dhe Angli. Deri ne vitin 1992, fshati kishte 1.300 banorë, ndërsa aktualisht 530 prej tyre kanë emigruar sidomos në Shtetet e Bshkuara të Amerikës, ku janë vendosur kryesisht në Detroit. Aktivitetet kryesore të cilat mund të zhvillohen në Vermosh janë ngjitjet malore në malësinë e Marlulës, shëtitjet në luginat e thella alpine, (të Lëpushës dhe Cemit), skitë në shpatet natyrore me dëborë, peshkimi sporitv i troftës, etj. Një aktivitet tjetër janë turet e biçikletave malore. Hartat e rrugëve të tyre janë përgatitur nga ana e studentëve të universitetit të Shkodrës dhe Podgoricës me mbështetjen e projektit Gjerman, GTZ. Këtë tur e përfshijnë të dy vendet, Shqipëria dhe Mali i Zi. Zona e Vermoshit është e përmendur për cilësinë lartë të bulmetrave. Shquhen më së shumti kullotat në stanet e Seferçës, i cili është edhe skaji më ekstrem verior i Republikës së Shqipërisë. Vermoshi është i njohur edhe për kultivimin e patates.

Hanet në Theth
Rajoni i Thethit përbën zemrën e alpeve shqiptare. Ai ndodhet në alpet perëndimore të Shqipërsië, në një distancë prej 70 km larg nga qyteti i Shkodrës. Për vlerat e tij klimaterike dhe atë të biodiversitetit, Thethi është shpallur një Park Kombëtar, i cili është gjithashtu edhe pjesë e projektit të përbashkët të “Parkut të Paqes”, që përfshin një rajon ndërkufitar të “Bjeshkëve të Namuna” midis tre shteteve, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Sipërfaqja e parkut kombëtar përfshin një areal prej 2.630 hektarësh dhe shtrihet në një lartësi prej 600 deri 2.570 metra mbi nivelin e detit. Këtu ka një mbulesë të dendur drunore ku 90 për qind e saj përfaqësohet nga pyjet e dendura të ahut. Në parkun e Thethit, gjenden ahe shekullore me diametër të trugut nga 1 deri në 1,5 metra. Lloji tjetër i mbulesës drunore përbëhet nga panja, frashëri, shkoza dhe rrobulli. Ka një shumëllojshmëri lulesh ku vlen për t’u përmendur “Wulfenia e Baldachit”, e cila është bimë endemike e zbuluar nga botanisti italian Baldachi. Kjo lloj luleje gjendet vetëm në parkun e Thethit.

Fauna e parkut përbëhet nga 50 lloje shpendësh, 10 lloje reptilësh dhe 8 lloje amfibësh. Vlen të përmendim se Parku i Thethit mbetet habitati më i rëndësishëm në vendin tonë me popullimin e rriqebullit ( lynx lynx), specie kjo mjaft e rrezikuar. Këtu gjenden edhe lloje të ndryshme qukapikësh, shqiponja e artë, salamandra alpine si dhe një shumëllojshmëri fluturash shumëngjyrëshe. Në ujërat e përroit të thethit, gjendet edhe trofta e mermertë. Ndër objektet më interesante për t’u vizituar nga ana e turistëve në Theth janë ujëvara e Grunasit e cila ka një lartësi prej 25–30 metrash. Pranë saj gjendet shpella e “Birrëve me rrathë”, në galeritë e së cilës gjenden forma të ndryshme si stalaktite, stalakmite, vello muresh, etj. Shpellë tjetër është ajo e Arapit. Mjaft tërheqëse janë burimet e ujrave të Okolit, nga ku burojnë ujrat e përroit të Thethit. Parku kombëtar i Thethit shquhet për reshjet e dendura të dëborës, të cilat zgjasin normalisht 150 ditë në vit. Mund të themi se për afro 6 muaj kjo zonë mbetet e bllokuar nga dëbora e cila zë Qafën e Terthores 2.000 metra mbi nivelin e detit, e cila lidh Bogën me Gropën e Thethit. Në Theth bien në sy ndërtesat e tipit alpin me çati të pjerrët të ndërtuara me plloça guri. Këtu gjendet edhe “kulla e ngujimit”, element ky epik i jetesës shqiptare ku gjatë periudhës së gjakmarrjes strehohej gjakësi. Kjo kullë është sot monument kulture. Kuzhina tradicionale e Thethit përbehet nga “fërliku”, (mish i pjekur), gatimi i troftës së përroit të Thethit, si dhe nënproduktet e qumështit, (djathrat e ndryshëm, gjiza, kosi i freskët, etj). Në Theth mund të organizohen aktivitete të shumta në natyrë, si ngjitjet malore, speleologjia, (turizmi i shpellave), kajakët në përroin e Thethit, peshkimi sportiv malor, sportet dimërore në shpatet natyrore me dëborë, biçikleta malore, etj.

Hanet në Margegaj
Është fshati dhe qendra e komunës me të njëjtin emër, i cili ndodhet vetëm pak kilometra në veri të qytetit të Bajram Currit. Kjo zonë ndodhet në alpet lindore të Shqipërisë, ku atraksioni kryesor turistik është Parku Kombëtar i luginës së Valbonës. Ky është njëri prej parqeve më të mëdhenj të Shqipërisë me një sipërfaqe prej 8.000 hektarë. Pranë hyrjes për në luginën e Valbonës do të keni mundësi të shikoni burimin (vrellën) e Shoshanit i cili është një burim karstik. Ky i fundit derdhet në lumin e Valbonës duke krijuar një kanion tërheqës me gjerësi 2-3 metra dhe thelëesi 50 metra. Krahas të tjerash vlen për t’u përmendur se në komunën e Margegajt gjenden disa shpella interesante siç është ajo e Haxhisë, (120 metra e gjatë) dhe shpella e Akullit, (e cila ka një gjatësi të eksploruar prej 250 metrash).


Hanet në Fushë Arrëz
është një qyteti i ri, i cili gjendet në rrugën nacionale nga Puka drejt Kukësit dhe Kosovës. Ai është ndërtuar si rezultat i ndërtimit të fabrikës së pasurimit të bakrit si dhe për shfrytëzimin e lëndës drusore, me të cilin ky rajon është i pasur. Në qytet gjendet kisha katolike e Shën Jozefit ndërsa ndër aktivitetet të cilat zhvillohen këtu mund të përmendim “Festivalin mbarëkombëtar të instrumentistëve të vegjël” i cili zhvillohet gjatë muajit maj. Fushë Arrëzi ofron mundësi të tjera për aktivitete. Kështu në malin e Krrabit, i cili ndodhet pranë qytetit, gjenden livadhe të këndshme dhe shumë kroje natyrale me ujë të ftohtë. Ky është një vend mjaft i përshtatshëm për organizimin e pikniqeve dhe turizmit me çadra. 3 km larg nga Fushë Arrëzi, gjenden rrënojat e kalasë së Micojit, e cila i përket shekullit të XVI. Gatimet tradicionale të zonës janë çervishi me lëng pule, fërliku, flija, laknori, (i gatuar me arra, hithra dhe qepe), etj.

Hanet në Pukë
Qyteti ndodhet në veri të Shqipërisë, në një lartësi prej 838 metrash mbi nivelin e detit, duke përbërë në këtë mënyrë një prej qyteteve më të larta të vendit tonë. Ajo ndodhet në një distancë prej 150 km larg nga kryeqyteti, Tirana. Puka njihet për zejen e përpunimit të rrëshirës, ku ka një traditë 2.000 vjeçare. E pozicionuar në rrugën nga deti Adriatik drejt Kosovës, në shek II–IV, në këtë zonë u zhvillua qyteti antik me emrin Picarea dhe më pas Pezhve. Germadhat e kësaj të fundit janë zbuluar në një lagje të qytetit të Pukës, e cila mban këtë emër.

Qyteti shquhet për ajrin e pastër duke qenë se rrethohet edhe nga një pyll pishash prej 400 hektarësh. Pranë qytetit ka edhe një pistë natyrore ku mund të ushtrohen rrëshqitjet me ski. Ajo shërben si një bazë e mirë për ushtrimin e alpinizmit në malin e Munellës dhe në bjeshkët e Tërbunit. Objekte të tjera janë burimi i ujrave i quajtur “Mrrizi i zanave”, shkëmbi i zanave, shpella e Kaurit e cila ndodhet në fshatin Levrushk. Kjo shpellë ka një gjatesi prej 250 metrash të eksploruara dhe për të shkuar aty ndiqet intenerarir Puke–Qelëz–Levrushk. Një objekt tjetër i trashëgimisë kulturore është kulla me karakoll, e gjendur në fshatin Kokdodë, e cila është e vetmja e këtij lloji që ka mbetur ende në Shqiperi. Gjate viteve 1936–1937, në qytetin e Pukës ka punuar poeti i shquar i letrave shqipe, Migjeni. Sot turistët mund të vizitojnë muzeun e tij në shkollën ku ai ka dhënë mësim. Gatimet tradicionale të zonës janë “fërliku”, “mazja”, (gatim i veriut të Shqipërisë me miell misri), etj. Në qytetin e Pukës prodhohet edhe një birrë e llojit “bio”.


BURIMI:
40 Hanet e Shqipërisë – Agjencia Kombëtare e Turizmit

[cite]