METEOROLOGJIA (qielli) Meteorologjia studion motin në të gjitha vendet e rruzullit tokësor. Ajo bën parashikimin e kohës, i cili u duhet punonjësve të bujqësisë, aeroplanëve, anijeve, udhëtarëve etj.
ERA (qielli) Era është ajri që zhvendoset si një rrymë uji. Ajri i ngrohtë është më i lehtë dhe ngjitet lart në qiell. Në të njëjtën kohë ajri që ndodhet rreth e rrotull, përpiqet të zërë vendin që mbetet bosh. Pikërisht nga kjo lëvizje lind era.
ERËMATËSI (qielli) Erëtreguesi tregon vetëm drejtimin e erës. Erëmatësi është një mjet i meteorologjisë, që vërtitet sipas drejtimit të erës dhe njëkohësisht mat me saktësi forcën dhe shpejtësinë e saj.
ERA TROPIKALE (qielli) Erërat tropikale fryjnë rregullisht në brigjet e zonave tropikale, gjatë gjithë vitit dhe në të njëjtin drejtim. Aeroplanët dhe vaporët i shfrytëzojnë këto erëra për të rritur shpejtësinë.
REJA GRUMBULLORE (qielli) Re grumbullore quhen retë e bardha dhe flokë-flokë, që shihen në qiellin e kaltër gjatë ditëve të bukura. Janë krejt ndryshe nga retë e rënda, të ulëta dhe ngjyrë hiri, që sjellin shiun.
REJA (qielli) Reja përbëhet nga pika shumë të vogla uji ose nga cikla akulli. Retë janë kaq të lehta saqë era i mban të varura në ajër. Nganjëherë ato bashkohen, rëndohen dhe e lëshojnë ujin e tyre në formën e shiut.
MUSONI (qielli) Musoni është një erë periodike e Azisë Jugore. Gjatë gjithë dimrit ai fryn nga veriu dhe sjell thatësirën. Por kur vjen vera, musoni e ndryshon drejtimin dhe sjell shira, meqenëse vjen nga oqeani.
MJEGULLA (qielli) Mjegulla është një re që formohet mbi tokë ose mbi ujë. Përbëhet nga pikëza të vogla uji dhe formon një vello, e cila vështirëson pamjen. Shpesh mjegulla bëhet shkak për të ndërprerë lundrimin ose qarkullimin rrugor.
SHIU (qielli) Uji që avullohet nga detet dhe nga toka, nuk qëndron në ajër. Me ftohjen më të vogël, ai shndërrohet në re dhe pastaj bie në formë pikash shiu.
BRESHRI (qielli) Retë përbëhen nga pika uji që bien në formë shiu. Në qoftë se pikat e shiut gjatë rënies përshkojnë shtresa ajri shumë të ftohtë, ato ngrijnë dhe formojnë kokrra të vogla akulli, të cilat quhen breshër.
DËBORA (qielli) Atmosfera përmban avuj uji. Kur bën ftohtë ky avull shndërrohet në ujë dhe bie në formë shiu. Kur bën shumë ftohtë, uji shndërrohet në kristale të holla akulli dhe bie në formë dëbore.
RRUFEJA (qielli) Rrufetë që shikojmë gjatë stuhive janë thjesht shkarkime të fuqishme elektrike, që formohen ndërmjet reve ose ndërmjet një reje dhe Tokës.
BUBULLIMA (qielli) Bubullima është zhurma e shkaktuar nga rrufeja. Kjo zhurmë e madhe nuk është e rrezikshme, sepse arrin në veshët tanë mbasi ka rënë rrufeja.
YLBERI (qielli) Drita e Diellit, që duket e bardhë, në të vërtetë është një përzierje e të gjitha ngjyrave. Kur drita përshkon pikat e shiut, shpesh shpërbëhet në rreze me ngjyra të ndryshme dhe formon në qiell një hark të madh shumëngjyrësh që ne e quajmë yber.
YLLI QË KEPUTET (qielli) Në netët e gushtit qielli shpesh përshkohet nga objekte të ndritshme, që quhen yj që këputen, ose që bien. Këto nuk janë gjë tjetër veçse trupa të ngurtë që bien nga qielli, të cilët, kur kalojnë nëpër ajër, fillojnë të digjen.