MUZGU DHE AGIMI (qielli) Muzgu është koha pas perëndimit të Diellit, ndërsa agimi është koha para lindjes së Diellit. Muzgu dhe agimi nuk zgjasin njëlloj në të gjitha vendet.
ATMOSFERA (qielli) Atmosfera është ajri që rrethon Tokën bashkë me retë dhe me pluhurat që përmban. Ajo shtrihet deri në lartësinë 200 km mbi sipërfaqen e Tokës, por pas lartësisë 8 km mbi Tokë ajri i atmosferës rrallohet së tepërmi.
AJRI (qielli) Ajri është një përzierje gazesh të ndryshme që mbështjell tërë rruzullin tokësor. Ai është i padukshëm, por hyn kudo dhe mbush çdo boshllëk.
OKSIGJENI (qielli) Oksigjeni është një lëndë e domosdoshme për jetën në Tokë. Ai është i nevojshëm për frymëmarrjen e njerëzve, të kafshëve dhe të bimëve. Bashkë me azotin ai formon ajrin, ndërsa me hidrogjenin formon ujin.
PRESIONI ATMOSFERIK (qielli) Ajri që rrethon Tokën ka peshë ushtron mbi çdo gjë një shtypje që mund të matet me barometër. Ky presion ndihmon për të parashikuar motin.
METEOROLOGJIA (qielli) Meteorologjia studion motin në të gjitha vendet e rruzullit tokësor. Ajo bën parashikimin e kohës, i cili u duhet punonjësve të bujqësisë, aeroplanëve, anijeve, udhëtarëve etj.
ERA (qielli) Era është ajri që zhvendoset si një rrymë uji. Ajri i ngrohtë është më i lehtë dhe ngjitet lart në qiell. Në të njëjtën kohë ajri që ndodhet rreth e rrotull, përpiqet të zërë vendin që mbetet bosh. Pikërisht nga kjo lëvizje lind era.
ERËMATËSI (qielli) Erëtreguesi tregon vetëm drejtimin e erës. Erëmatësi është një mjet i meteorologjisë, që vërtitet sipas drejtimit të erës dhe njëkohësisht mat me saktësi forcën dhe shpejtësinë e saj.
ERA TROPIKALE (qielli) Erërat tropikale fryjnë rregullisht në brigjet e zonave tropikale, gjatë gjithë vitit dhe në të njëjtin drejtim. Aeroplanët dhe vaporët i shfrytëzojnë këto erëra për të rritur shpejtësinë.
MUSONI (qielli) Musoni është një erë periodike e Azisë Jugore. Gjatë gjithë dimrit ai fryn nga veriu dhe sjell thatësirën. Por kur vjen vera, musoni e ndryshon drejtimin dhe sjell shira, meqenëse vjen nga oqeani.
REJA GRUMBULLORE (qielli) Re grumbullore quhen retë e bardha dhe flokë-flokë, që shihen në qiellin e kaltër gjatë ditëve të bukura. Janë krejt ndryshe nga retë e rënda, të ulëta dhe ngjyrë hiri, që sjellin shiun.
REJA (qielli) Reja përbëhet nga pika shumë të vogla uji ose nga cikla akulli. Retë janë kaq të lehta saqë era i mban të varura në ajër. Nganjëherë ato bashkohen, rëndohen dhe e lëshojnë ujin e tyre në formën e shiut.
MJEGULLA (qielli) Mjegulla është një re që formohet mbi tokë ose mbi ujë. Përbëhet nga pikëza të vogla uji dhe formon një vello, e cila vështirëson pamjen. Shpesh mjegulla bëhet shkak për të ndërprerë lundrimin ose qarkullimin rrugor.
SHIU (qielli) Uji që avullohet nga detet dhe nga toka, nuk qëndron në ajër. Me ftohjen më të vogël, ai shndërrohet në re dhe pastaj bie në formë pikash shiu.
BRESHRI (qielli) Retë përbëhen nga pika uji që bien në formë shiu. Në qoftë se pikat e shiut gjatë rënies përshkojnë shtresa ajri shumë të ftohtë, ato ngrijnë dhe formojnë kokrra të vogla akulli, të cilat quhen breshër.