1. Laomedonti 12. Një i çmendur i shtirur
2. Paridi dhe arusha 13. Një grua e shtirur
3. Paridi, Enona dhe molla e artë 14. Ifigjenia
4. Paridi dhe festat e Trojës 15. Zemërimi i Akilit
5. Paridi dhe Hesiona 16. Si përfundoi dyluftimi midis Akilit dhe Menelaut
6. Agamemnoni dhe Menelau 17. Patrokli, miku i Akilit
7. Vazhdon rrëfimi për Agamemnonin dhe Menelaun 18. Si u kthye Akili në luftë
8. Helena dhe Menelau 19. Akili, Eneu dhe Hektori
9. Paridi dhe Helena 20. Akili dhe Priami
10. Ç’bëri Menelau kur u kthye në Spartë 21. Kali i drunjtë
11. Udhëtimi i Odiseut e Menelaut për Trojë 22. Ikja nga Troja

Parathënie

Ndodhitë e bukura dhe tërheqëse që do të lexoni në këtë libër lidhen me luftën midis grekëve e trojanëve rreth 3200 vjet më parë. Luftën dhe kthimin e grekëve në atdhe i ka kënduar poeti i madh i lashtësisë, Homeri, në dy veprat e tij të shkëlqyera, më «Iliadën» dhe «Odisenë», të përkthyera të dyja në gjuhën shqipe. Por këto dy vepra janë të vështira për t’u kuptuar nga fëmijët, prandaj për t’ju dhënë mundësi të njiheni pak a shumë me to, shkrimtarë të ndryshëm i kanë përshtatur për ju, lexues të vegjël.

Para pak vitesh u njohët me Odiseun dhe me udhëtimet e tij plot mund e rreziqe për t’u kthyer nga Troja në atdheun e tij, në Itakë. Ato ç’kanë ndodhur shumë më përpara kthimit të Odiseut do t’i njihni në këtë libër, që tregon për ngjarje të vërteta, po dhe të sajuara nga mendja e thellë dhe e kthjellët e popullit, ashtu siç sajohen në përgjithësi përrallat dhe legjendat.

Por dhe në përralla e legjenda fshihet gjithmonë një e vërtetë e treguar me fantazi e bukuri të madhe. Në kohë shumë të lashta, njerëzit nuk dinin t’i shpjegonin dukuritë e natyrës ashtu siç dimë t’i shpjegojmë ne sot, prandaj për çdo dukuri shpikën një qenie të mbinatyrshme, që ata e quanin hyjni, titan, përbindësh etj. Kështu p.sh. kur shikonin të binte rrufeja, mendonin se atë e hidhte Zeusi nga maja e malit të Olimpit, ku ai kishte selinë dhe sundonte si perëndi mbi gjithë perënditë e tjera; stuhinë në det pandehnin se e shkaktonte Poseidoni, që rrinte në fund të detit dhe e trazonte atë me sfurkun e tij, e kështu me radhë.

Fantazia e njerëzve të lashtë e kishte mbushur botën me kësoj qeniesh të mbinatyrshme dhe njerëzit rronin me frikën e përhershme se nga njëri çast në tjetrin mund të binin në grackën e fatkeqësive të kurdisura nga këto qenie të sajuara. Prandaj, të pafuqishëm siç ishin, sepse në ato kohë ende nuk ishin zhvilluar shkenca dhe teknika, njerëzit besonin në këto krijesa të shpikura nga mendja e tyre. Ata besonin gjithashtu në fatin, sepse ishin të pazotë të shpjegonin shkaqet e sendeve dhe të dukurive që ndodhnin rreth e rrotull tyre. Kështu p.sh. legjenda thotë se Akilit i ishte përcaktuar fati të vdiste i ri, i vrarë në thembër nga shigjeta e luftëtarit trojan Paridit. Fantazi dhe të paqena janë dhe parashikimet e Kasandrës, të falltarëve Kalkant e Tiresia. Por rrodhën shekujt dhe njerëzit filluan të besonin gjithnjë e më pak në këto legjenda. Ajo që thuhet për Kasandrën se parashikimet e saj nuk i besonte njeri, tregon se besimi në këto gojëdhëna kishte nisur të tronditej. Këto janë për ne sot gjëra që na bëjnë të vëmë buzën në gaz, por dhe që na shtyjnë të kthejmë sytë pas e të mendojmë sa përpara ka ecur mendja e njeriut, ç’mrekulli ka arritur të bëjë njerëzimi. Ato që kanë ëndërruar njerëzit e lashtë, sot janë bërë të vërteta. Të vjetrit, për shembull, krijuan legjendën e bukur të Dedalit dhe Ikarit, që fluturuan në qiejt e kaltër me krahë të ngjitur me dyllë; sot ëndrra e njeriut për të fluturuar është bërë realitet.

Duke lexuar këto ndodhi të lashta, na shpaloset para syve një botë e tërë, e mbushur me qenie të vërteta e fantastike, me përshkrime të bukura plot dritë e ngjyra të ndezura, që dëshmojnë për talentin dhe aftësitë krijuese të popullit, për dashurinë e tij të madhe për të vërtetën e drejtësinë, për virtytin e mirësinë.

Ngjarjet që përmban ky libër nuk janë të gjitha ato ç’ka na përshkruan «Iliada» e Homerit. Për shumë prej tyre flitet fluturimthi në «Iliadë», si ndodhi të së kaluarës. Sepse «Iliada» flet vetëm për 51 ditët e fundit të luftës dhjetëvjeçare që u bë në Trojë. Nga të gjitha ndodhitë që përmban kjo përmbledhje, vetëm historia e zemërimit të Akilit, dyluftimi midis Paridit dhe Menelaut, vrasja e Patroklit, vrasja e Hektorit, historia e Akilit dhe e Priamit e ndonjë tjetër, gjenden në «Iliadë». Gojëdhëna për Laomedontin, për Paridin bari në malin Ida, për rrëmbimin e Helenës prej tij, për Odiseun që shtiret si i çmendur që të mos shkojë në luftë, për Tetin që e vesh të birin, Akilin, si vajzë, për kalin e drunjtë dhe për ikjen e Eneut me shumë trojanë të tjerë nga Troja, të cilët përmenden shkarazi në dy poemat e Homerit, plotësojnë tërë tablonë e luftës midis grekëve e trojanëve, prandaj dhe leximi i tyre ndihmon për ta njohur luftën e Trojës në gjithë shtrirjen e saj historike e legjendare.

Sipas legjendës, ashtu siç na e jep edhe Homeri, Troja u sulmua nga grekët sepse princi trojan Paridi kishte rrëmbyer Helenën, gruan e mbretit të Spartës, Menelaut. Dhjetë vjet zgjati lufta dhe Troja e rrethuar nuk u dha. Më në fund, vetëm me dredhi, duke u fshehur në kalin e drunjtë, grekët mundën të hynin në qytet. Troja u dogj e u rrënua, kurse Helena iu kthye të shoqit.

Sipas historisë, Troja ose Ilioni, nga e ka marrë emrin edhe «Iliada», që do të thotë kënga për Ilionin, ka qenë një qytet në bregdetin e Azisë së Vogël, në jug të Dardaneleve. E ndërtuar mbi një kodrinë disa kilometra larg detit, Troja sundonte rrugët detare e tokësore, prandaj duhet të ketë qenë një qytet me tregti të zhvilluar dhe shumë i pasur. Kjo duket e bëri atë pre të lakmisë dhe të sulmeve grabitqare të fiseve greke. Pra, mbi këtë bazë historike ngrihet legjenda e luftës së Trojës, që është e mbuluar me rrobën e fantazisë dhe është kënduar me aq madhështi nga poeti. Kjo është e vërteta që na tregon historia, dhe ajo tanimë është bërë e njohur pas zbulimeve arkeologjike të fundit të shekullit të kaluar, të cilat vërtetuan tejendanë se ku ndodhej Troja dhe përse duhet të ketë qenë bërë lufta. Që lufta në Trojë kishte qëllime plaçkitjeje, kjo mund të pikaset edhe në faqet e këtij libri të vogël. Grindja midis Akilit dhe Agamemnonit, për shembull, nis për shkak të plaçkës dhe skllevërve që ata duan të ndajnë midis tyre. Shpërthimi i luftës për shkak të rrëmbimit të Helenës së bukur nuk është, pra, veç legjendë dhe fantazi.

Por me këtë fantazi janë thurur ngjarje që na tërheqin me bukurinë dhe madhështinë e tyre heroike. Në to pasqyrohet jeta e shoqërisë së asaj kohe me hijet dhe dritat e saj, me anët e mira dhe të këqija, me zakonet e hijshme e me virtytet, por dhe me plagët e veset që e dallojnë si shoqëri me të pasur e të varfër, me sundimtarë e të sunduar. Ne na prek ngjarja me Heraklin, i cili punoi kaq kohë te mbreti Laomedont dhe ky e gënjeu e nuk e shpërbleu për punën e kryer, siç i kishte premtuar. Le të kujtojmë dinakërinë e Odiseut, i cili zgjuarsinë e tij e përdor për të vrarë e shfarosur një qytet të tërë me gra, fëmije e pleq Homeri, si mjeshtër i madh i fjalës dhe njohës i thellë i jetës, i ka thurur himne besimit të njeriut në forcat e veta dhe prirjes së tij për ta përdorur zgjuarsinë në të mirë të shoqërisë njerëzore. Kështu Odiseu, që shpiku kalin e drunjtë dhe i solli kaq të këqija Trojës, në raste të tjera mendjemprehtësinë dhe përvojën e tij të madhe i përdor për të shpëtuar nga rreziqet shokët dhe veten.

Duke lexuar këto ndodhi të lashta mahnitemi me bukurinë e ndjenjave të njerëzve të thjeshtë si Hesiona, të prindërve të dhimbsur si Priami, të shokëve të lidhur me besnikëri të pakufishme ndaj njëri-tjetrit si Akili dhe Patrokli. Plot dritë e ngrohtësi janë dhënë heroizmi i Hektorit, që mbron i paepur atdheun, gatishmëria e Ifigjenisë për t’u flijuar për lavdinë e Greqisë, dashuria e Tetit për të birin, Akilin etj.

Leximi i këtij libri dhe i «Odisesë së treguar për fëmijë», botuar para disa vjetësh, na përgatit të hyjmë në të fshehtat e botës homerike, kaq të pasur në mendime dhe ndjenja, të cilat edhe më mirë do t’i kuptojmë kur të rritemi dhe kur të lexojmë veprat e shquara të Homerit, të Eskilit, ,të Sofokliut e të shkrimtarëve të tjerë të lashtësisë.  – MYZAFER XHAXHIU –

Autore: Laura Orvieto     Përktheu: Klio Evangjeli     Redaktoi: Brikena Çabej     Piktor: Ilir Pojani

 

[cite]